Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se është fakt që qëndrimet e Serbisë dhe Britanisë së Madhe mbivendosen kur është fjala për statusin e Kosovës, por thekson se ka edhe gjëra për të cilat ka të njëjtin mendim.
“Ne e njohim Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Dhe është e qartë se ne nuk pajtohemi. Por ne pajtohemi, për shembull, që duhet të shohim përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Zgjidhja e disa problemeve që mund të çojë në përshkallëzim dhe tension dhe që mund të dëmtojë stabilitetin, reputacionin politik dhe trajektoren ekonomike të Serbisë”, thotë ai në një intervistë për “Euronews Serbia”.
Ferguson thotë se Britania e Madhe ndan gjithashtu shqetësimin e madh për komunitetin serb që jeton në Kosovë.
“I vizitova në nëntor, isha në Mitrovicën Veriore, në Graçanicë dhe takova një komunitet që është nën presion, ata ndjejnë stres dhe ne duam të gjejmë mënyra për të ulur tensionet, për të përmirësuar dialogun”, thotë ai.
Siç shton ai, Britania e Madhe gjithmonë e bën të qartë se nuk dëshiron asnjë lëvizje të njëanshme nga asnjëra palë, qoftë Kosova apo Serbia, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim. Megjithatë, shton ai, situata në terren është ndryshe.
“Ne e themi qartë se nuk jemi të kënaqur për disa gjëra që kanë ndërmarrë autoritetet në Prishtinë, siç është shpronësimi, si dhe disa gjëra të tjera për të cilat kemi thënë qartë se nuk jemi të kënaqur dhe që nuk janë në pajtim me sistemin ligjor të Kosovës. Kemi parë edhe incidente si sulmi në Banjskë, kur në shtator një grup personash me armë vranë një polic, filluan të qëllonin dhe një vit më vonë, askush nuk është përgjigjur për atë sulm. Mund të ju them se kjo ka ngjallur shqetësim dhe frustrim në Londër dhe përfaqësues tjerë në Evropë. Prandaj, të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një mënyrë për të reduktuar tensionet, në mënyrë që të gjithë të kthehen në dialog”, tha ai.
Ai tha se në Ohër, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq bënë një plan për normalizim, por tha se “nuk jemi as për së afërmi të kënaqur me përparimin”.
“Kemi parë pak përparime, që i përshëndesim, siç është njohja e targave të Kosovës nga Serbia. Kosova më në fund e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën që i përket Manastirit të Deçanit. Britania e Madhe ka qenë shumë e përfshirë për të bërë presion që kjo të ndodhë. Por, duhet bërë edhe shumë që të vihet deri te stabilizimi dhe këtë e duam ne”, theksoi Ferguson.
Uria në mes të natës – arsyet shëndetësore pse ndodh
Pse yjet shkëlqejnë më fort në male?
Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?
Tifozët mendojnë se kanë gjetur ‘arsyen e vërtetë’ pse Vinic...
Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshillta...
Protesta e opozitës, Berisha: Shqipëria u paralizua, për tri...