Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA në Beograd, James Hagengruber, ka përsëritur qëndrimin e presidentit amerikan Joe Biden se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me njohjen e ndërsjellë si bazë, është i njohur prej kohësh si çelës për arritjen e këtij qëllimi.
“Ish-Presidenti Trump gjithashtu e ka bërë këtë politikë shumë të qartë. Në vitin 2019, ai i shkruajti Presidentit Aleksandar Vuçiq për ‘mbështetjen e palëkundur’ të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht angazhimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, – ka thënë Hagengruber për “Tanjug”, duke komentuar letrën e Presidentit të tanishëm të SHBA Biden, të cilën ia dërgoi Vuçiqit me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë, në të cilën theksohet njohja e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës.
Hagengruber thekson se “u takon të dy palëve të arrijnë një marrëveshje të cilën dy palët mund ta mbështesin”, duke shprehur bindjen se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element kryesor në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve, transmeton Telegrafi.
“Një marrëveshje e tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, tha zëdhënës i Ambasadës amerikane në Serbi.
Hagengruber shton se Shtetet e Bashkuara nuk duan asgjë më shumë sesa Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së dhe se kthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e BE-së, është thelbësor për një sukses të tillë.
Ai kujton fjalët e presidentit Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është me rëndësi thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”.
Zëdhënësi i ambasadës amerikane shtoi se kjo do të përmirësonte sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe do të përkonte me aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera multilaterale dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm që një Evropë e tërë të jetojë në paqe dhe liri./lapsi/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...