Google ADS

Ambasadorët shqiptar i shkruajnë Merkelit dhe Macron, kanë një kërkesë

19:12 | 27 Prill 2019
Arbresh.info

Në prag të Samitit që do të organizohet në Berlin më 29 prill, me kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë iu drejtua me një letër Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit të Francës Emmanuel Macron.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se kjo nismë vjen në kohën e duhur për t’i dhënë një shtytje të re procesit të ngadalshëm dhe plot konvulsione të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në vendet e rajonit tonë.

“Mbarë shoqëria jonë pret me shpresë që Këshilli Evropian të vendosë në qershorin e ardhshëm për çeljen e negociatave, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian të vendit tonë”, thuhet në këtë letër.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson se Gjermania dhe Franca do të jenë në mbështetje të ëndrrës evropiane të shqiptarëve.

Duke u ndalur te situata politike në vend, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se “forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes suaj, do të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të bindur se ëndrra evropiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por duke ndërtuar në Shqipëri vlerat evropiane”.

“Ne shpresojmë që ju, si miq të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të përdorni rastin e këtij samiti për të dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut”, thuhet në këtë letër.

Po ashtu, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e konsideron këtë samit, si një rast fatlum veçanërisht për përfaqësuesit e lartë të Serbisë dhe të Kosovës, dy vende shumë të rëndësishme të rajonit tonë, të cilat gjenden prej afro një dekade të përfshira në një proces shumë të vështirë negociatash për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre.

“Ne shpresojmë se vizioni dhe autoriteti juaj i lartë, do të nxjerrë njëherë e mirë nga rendi i ditës i negociatave midis këtyre dy vendeve çdo plan për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Përcaktimin e kufijve midis këtyre shteteve sipas vijës së ndarjes etnike do të shënonte një kthim prapa dhe do të ishte i mbushur me rreziqe jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për vendet e mbarë rajonit. Ne shprehin bindjen e thellë se pajtimi i vërtetë serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm sipas përvojës dhe modelit franko-gjerman, që ju mishëroni”, thuhet në këtë letër.

 

Të ngjashme