Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në adresimin e tij, kryeministri tha se “Nuk janë të rralla rastet që mblidhemi në këtë datë, këtu në ngjarjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, për të përkujtuar ngjarjen tonë më të madhe, atë të themelimit të subjektivitetit të kombit shqiptar. E megjithatë, ky tubim ka gjithnjë të njëjtin emocion.”
Ai përmendi dy momente të veçanta për reflektim e përshtypje. Së pari, tha se sot e kemi shumë të lehtë të jemi bashkë me njëri tjetrin, gjersa para jo më larg se tri dekadash, ky tubim, nuk mund të imagjinohej, dhe kjo për tri herë më shumë dekada gjithsej. “Ishte koha e sakrificave dhe dhimbjeve të mëdha për shqiptarët në të dy anët e kufirit”, u shpreh ai.
Së dyti, përmendi Aktin e Pavarësisë që u nënshkrua nga patriotët në 28 Nëntorin e motit 1912, që doli se nuk ishte thjesht akt, por program që do të shtrihej në një shekull e më shumë. “U nënshkrua pra një program që, për me u përfytyru dhe për me u realizu, kërkonte ndihmën e një projekti tjetër, atë të Sami Frashërit në Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Që e paraprinte dhe vijon ta pasojë me dimensionin aktual të tij”, shtoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri i ftoi të gjithë që ta festojmë e ta përkujtojmë këtë datë me idenë se Ismail bej Vlora dhe patriotët na shohin neve nga e ardhmja dhe presin që ne ta realizojmë sa më drejt e sa më mirë e sa më mbarë atë udhë që na e kanë përcaktuar me ngritjen e flamurit në Vlorë.
“Rilindasit tanë, janë në të kaluarën tonë dhe na shikojnë nga e ardhmja jonë. Në të kaluarën e tyre e kishim Skënderbeun, e në të ardhmen Adem Jasharin. Dhe pikërisht, qenia e jonë e përbashkët, në të tashmen, i bën ata të jenë e kaluara e jonë e përbashkët, dhe njëkohësisht e ardhmja që na pret të bashkuar”, përfundoi ai.
Urimin për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Kurti e shoqëroi edhe me urimin për përvjetorin e 15-të të Shqipërisë në NATO, dhe hapjen e negociatave në rrugën e pandalshme drejt Bashkimit Evropian.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar kryeparlamentar, Glauk Konjufca,
Shkëlqesia e juaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj dhe e nderuara zonja Neta Malaj,
Shkëlqesia e juaj, ish-President i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu,
Të nderuar zëvendëskryeministra Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla,
E nderuara zonja Megi Fino, zëvendësministre për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë,
Të nderuar ministra e zëvendësministra, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtues e përfaqësues e zyrtarë të institucioneve shtetërore,
Shkëlqesi ambasadorë të vendeve mike të akredituara në Kosovë,
I nderuari akademik, profesor Rexhep Qosja,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Nuk janë të rralla rastet që mblidhemi në këtë datë, këtu në ngjarjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, për të përkujtuar ngjarjen tonë më të madhe, atë të themelimit të subjektivitetit të kombit shqiptar. E megjithatë, ky tubim ka gjithnjë të njëjtin emocion.
Meqë e kemi këtë rast, më lejoni, të flas mes jush dhe me ju për dy momente që më duket se kanë një zë të veçantë në mënyrën sesi e përfytyrojmë punën tonë të përbashkët. Janë dy momente që mund t’i pranoni si reflektime ose si përshtypje.
Së pari, besoj se e kemi shumë të lehtë sot të jemi bashkë. Është kaq e lehtë, sa na duket e natyrshme si dukuri. Na duket sikur të qenit bashkë në ditët tona më të çmuara ka qenë e lehtë në të gjithë kohët që kemi lënë pas. Por ky tubim, para më pak se tri dekadash nuk mund të imagjinohej, dhe kjo për tri herë më shumë dekada gjithsej. Edhe thjesht imagjinimi shkonte bashkë me rrezikun dhe vuajtjet.
Ishte koha e sakrificave dhe dhimbjeve të mëdha për shqiptarët në të dy anët e kufirit. Ne shqiptarët s’ishim të lirë dhe ishim të ndëshkuar me izolim të çdo lloji. Izolimi më i tmerrshëm i ynë ishte ndarja jonë. Tani për tani mund të themi se kemi arritur goxha rezultat, edhe pse e dimë sakrificën e madhe dhe numrin e gjëmave. Kemi arritur të mbulojmë një pjesë të madhe të popullit shqiptar me shtete që flasin shqip. Pra, mund të themi se një numër i madh i shqiptarëve në këto vise gëzojnë një masë lirie dhe një përmasë demokracie. Për këtë, duhet të festojmë sot duke parë nga 28 Nëntori i Ismail bej Vlorës dhe tërë emrave të ndritur që kanë nënshkruar Aktin e Pavarësisë.
Së dyti, sot, të kapur në përditësinë tonë dhe në tollovinë e ngjarjeve që na mbërrijnë nga çdo cep i globit, një kompleksitet i paparë ndonjëherë në historinë e re botërore, kam përshtypjen se nuk e vlerësojmë aq sa duhet edhe një fakt tjetër. Akti i pavarësisë që u nënshkrua nga patriotët në 28 Nëntorin e motit 1912, një vit më vonë doli se nuk ishte thjesht akt, por program që do të shtrihej në një shekull e më shumë. U nënshkrua pra një program që, për me u përfytyru dhe për me u realizu, kërkonte ndihmën e një projekti tjetër, atë të Sami Frashërit në Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Që e paraprinte dhe vijon ta pasojë me dimensionin aktual të tij.
Në këtë kuptim, e në bazë të kësaj ndjesie, ju ftoj ta festojmë këtë datë me të gjithë peshën e saj historike, programatike, projektive në të ardhme. Ju ftoj ta festojmë e ta përkujtojmë me idenë se Ismail bej Vlora dhe patriotët na shohin neve nga e ardhmja dhe presin që ne ta realizojmë sa më drejt e sa më mirë e sa më mbarë atë udhë që na e kanë përcaktuar me ngritjen e flamurit në Vlorë.
Rilindasit tanë, janë në të kaluarën tonë dhe na shikojnë nga e ardhmja jonë. Në të kaluarën e tyre e kishim Skënderbeun, e në të ardhmen Adem Jasharin. Dhe pikërisht, qenia e jonë e përbashkët, në të tashmen, i bën ata të jenë e kaluara e jonë e përbashkët, dhe njëkohësisht e ardhmja që na pret të bashkuar.
I nderuar ambasador, besoj fort në bashkëpunimin e vrullshëm mes dy qeverive tona dhe në programin e përbashkët të shtrirjes së demokracisë dhe zhvillimit në të gjitha fushat.
Urime dita e lartë e themelimit të Pavarësisë, dita e çlirimit të Shqipërisë, dhe përveç kësaj, përvjetori i 15-të i Shqipërisë në NATO, e çelja e negociata në rrugën e pandalshme drejt Bashkimit Evropian.
Ju faleminderit!
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...
Fitimi, Sarës: Sa do kisha shanse me ty jashtë, nga 1 tek 10
Votuesit e regjistruar në Diasporë do të hiqen nga listat br...
Top 10 mesfushorët ofanzivë më të mirë në kampionatin zvicer...
IKSHPK-ja jep këshilla për parandalimin e infektimit me linë...
Putini i thotë Azerbajxhanit se mbrojtja ajrore ruse ishte e...