Ambasada e Kosovës në Gjermani del me informacione të rëndësishme rreth mësimit të gjuhës shqipe në shkollat gjermane

13:18 | 9 Shkurt 2024
E.H

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka dhënë lajmin e mirë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat gjermane dhe institucionalizimin e saj në sistemin arsimor gjerman.

Përmes një njoftimi në Facebook, ambasada ka treguar se kriteri kryesor që në një shkollë në Berlin të ketë mësim plotësues të gjuhës shqipe është kërkesa prej të paktën 12 nxënësve shqiptarë në një shkollë, përcjell Arbresh.info

Tutje në njoftim thuhet se fëmijët do të marrin mësime në gjuhën shqipe dy orë në javë, ndërsa ka kërkuar nga prindërit shqiptar në Gjermani që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme.

Njoftimi i plotë:

Disa informacione me rëndësi mbi institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Berlin

Të dashur prindër,

Në prag të fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të mësimit në landin e Berlinit, Senati i Berlinit ka kërkuar nga të gjitha shkollat publike në Berlin, që këto të fundit përmes drejtorive të tyre të njoftojnë prindërit për mësimin plotësues (Erstsprachenunterricht). Shumë drejtori të shkollave tashmë kanë dërguar njoftimet (me email) tek prindërit qysh javën e kaluar dhe prindërit e interesuar duhet të plotësojnë formularët për mësimin plotësues në gjuhen shqipe dhe t’i dorëzojnë ato në shkolla.

Kriteri kryesor që në një shkollë të ketë mësim plotësues të gjuhës shqipe është kërkesa prej të paktën 12 nxënësve shqiptarë në një shkollë.

Nëse dorëzohen 12 formularë, atëherë drejtoritë e shkollave informojnë organet kompetente të landit të Berlinit (Senatsverwaltung für Bildung, Jugend und Familie) për interesimin e shprehur dhe nevojën e ofrimit të gjuhës shqipe në shkollë.

Senatsverwaltung für Bildung, Jugend und Familie bën shpalljen e konkursit publik për pranimin e mësimdhënësve, duke e inkuadruar mësimin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor të landit të Berlinit.

Përzgjedhja e mësimdhënësve do të bëhet nga Senatsverwaltung für Bildung, Jugend und Familie.

Fëmijët e interesuar do të kenë mundësinë të ndjekin dy orë në javë mësimin plotësues të gjuhës shqipe gjatë mësimit të rregullt shkollor.

Lusim të gjithë prindërit shqiptarë në Berlin, që të shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme për mësimin e gjuhës shqipe dhe institucionalizimin e saj në sistemin arsimor gjerman.

Ky lajm i shumëpritur është një mundësi e jashtëzakonshme që i ofrohet fëmijëve tanë në diasporë që të mësojnë gjuhën, historinë e kulturën kombëtare dhe të krijojnë e thellojnë lidhjen emocionale me atdheun.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin iu uron prindërve dhe nxënësve suksese të shumta dhe inkurajon që të lajmëroni fëmijët tuaj për të mësuar gjuhën shqipe.

Falënderojmë Senatin e Berlinit për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe përkrahjen e vazhdueshme për institucionalizimin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor gjerman./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme