Ambasada e Britanisë shprehet e zhgënjyer me Kuvendin e Kosovës

19:54 | 17 Gusht 2020
L G

Ambasada e Britanisë në Kosovë ka shprehur zhgënjimin e saj për dështimin e Kuvendit që të emërojë Komisarin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

“Kemi ndjekur me zhgënjim dështimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të emërojë Komisarin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi më 14 gusht. Procesi transparent dhe meritor, i mbështetur nga projekti ynë i rekrutimit, kishte nxjerrë dy kandidatë të përshtatshëm”, thuhet në reagimin e Ambasadës në Facebook.

Tutje ajo shton se mosemërimi i asnjërit prej tyre vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për të zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, por ç’është më e rëndësishmja, dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë dhe shpresat e tyre për të kontribuuar në Institucionet e Kosovës.

“Çdo emërim publik do të duhej të merrte parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak. Dështimi i Kuvendit për të emëruar Komisarin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi do t’i lërë qytetarët kosovarë pa mbrojtje të duhur institucionale të privatësisë dhe të dhënave. Kjo gjithashtu do të çojë në përsëritje të procesit të rekrutimit për herë të katërt dhe vonesë të fondeve të BE-së për Agjencinë”, thotë Ambasada.

Ambasada shton se nuk do të mbështesë procesin e radhës të rekrutimit.

“Procesi i radhës nuk do të mbështetet nga projekti ynë i rekrutimit. Ne nuk do të çojmë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim. Ne do të vazhdojmë t’i monitorojmë votat e partive politike në Kuvend për pozitat që kanë mbetur në Listën e Pozitave të dakorduara të projektit (shih www.kosovoselection.org), në mënyrë që të vlerësojmë angazhimin tonë me Kuvendin për rekrutim të pavarur, transparent dhe llogaridhënës për pozitat e larta publike”, thuhet në reagim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme