Ambasada amerikane e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme

17:23 | 22 Shtator 2017
L G

Ambasada Amerikane në Kosovë nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për kthimin e kandidatëve të diskualifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në deklaratën e ambasadës Amerikane thuhet se  vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) zbaton urdhrat e Gjykatës Supreme për ricertifikimin e kandidatëve të diskualifikuar më parë, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, raporton “Arbresh.info”.

“E kuptojmë vendimin e KQZ-së për ti kthyer të 89 kandidatët e diskualifikuar si kundërpërgjigje vendimit të Gjykatës. Megjithatë, na vjen keq që rezultati i këtij vendimi zhbën punën e shkëlqyeshme të KQZ-së dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të zbatuar ndalesën e paraparë me Ligjin për Zgjedhje për moslejimin e kandidimit të kandidatëve të dënuar për vepër penale”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

“Vazhdojmë të mbështesim frymën dhe qëllimin e asaj dispozite të Ligjit për Zgjedhje. Ftojmë institucionet përkatëse shtetërore që të korrigjojnë çdo paqartësi ligjore lidhur më këtë dispozitë para ciklit të ardhshëm zgjedhor në Kosovë. Besojmë që votuesit kërkojnë kandidatë të panjollosur nga krimi”, thuhet më tutje në këtë deklaratë.

Ndryshe, dy ditë më parë, Gjykata Supreme  mori vendim për kthimin në garën zgjedhore të kandidatit të NISMA-s për kryetar të komunës së Prizrenit, Zafir Berish. Në këtë vendim gjykata thuhet se  vetëm gjykatat kanë të drejtë t’ua marrin kandidatëve të drejtën për t’u zgjedhur.

“Marrja e së drejtës së dikujt për të garuar në zgjedhje për shkak të ndonjë vepre penale nuk ka emërtim tjetër përpos sanksion penal. Sanksionin penal mund ta shqiptojë vetëm një gjykatë e paanshme e themeluar me ligj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Tutje, Supremja thotë se neni 29 pika q e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me Kushtetutën.

“Nisur nga kjo, del se dispozitat e nenit 29 paragrafit 1, pikës q të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me Kushtetutën, përkatësisht nenin 45 të Kushtetutës”, thuhet në vendim./ Arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme