Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë kërkuar që procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të kthehet në pikën zero. Këto dy parti politike theksojnë se Ekipi negociator i Kosovës është jolegjitim, derisa Ligji për dialogun, u tha se është antikushtetues.
Ndërsa Qeveria dhe partitë në pushtet i kanë ftuar në vazhdimësi këto dy subjekte politike të përfshihen në procesin e negociatave, LDK dhe Vetëvendosje insistojnë në opsionin e tyre për zgjedhje të parakohshme, formimin e Qeverisë dhe institucioneve të reja dhe më pastaj vazhdimin e procesit negociator me Serbinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se nëse koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma), insiston t’i futet procesit të dialogut me legjitimitet të cunguar, duke marrë me vete tash edhe Partinë Socialdemokrate, atëherë opozita do të kujdeset që detyrimet ndërkombëtare që mund të marrë Kosova nga ky proces, të jenë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Hoti tha se nëse ky proces nuk udhëhiqet nga institucionet legjitime, ai mund ta kthejë Kosovën prapa.
“Ky dialog duhet të zhvillohet nga institucionet legjitime, jo me pseudoekipe dialoguese dhe vetëm pasi që të jetë siguruar një pajtueshmëri prej dy të tretave të votave në Kuvend. Çdo format tjetër i zhvillimi të dialogut, është jolegjitime dhe jokushtetuese”, tha Hoti.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se Ligji për Dialogun, shkelë Kushtetutën e Kosovës, pasi sipas saj, cenon formën e qeverisjes. Nisur nga kjo qasje, LDK dhe Vetëvendosje, kohë më parë e kanë proceduar për të Gjykatën Kushtetuese Ligjin për dialogun, duke pretenduar se ai është jokushtetues.
“Ne konsiderojmë se janë 8 nene që shkelen me këtë projektligj, nene të Kushtetutës. Përveç kontestimit që i kemi bërë në aspektin përmbajtjesor, ne kemi kërkuar po ashtu nga Gjykata Kushtetuese vendosjen e masës përkohshme, sepse projektligji në fjalë cenon formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit dhe vlerat mbi të cilat qëndron rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, tha deputetja Haxhiu.
Taulant Kryeziu nga Instituti Epik tha se Ligji për Dialogun është antikushtetues, për arsye se po krijohet një ligj për të zëvendësuar institucionet. Ai tha se këto negociata duhet të realizohen në kontroll të rreptë të Kuvendit të Kosovës.
“Rrugëdalja do të duhej të ishte që të kishim një shumicë të kualifikuar që në start, e cila e mandaton dhe e themelon këtë Delegacion shtetëror apo çfarëdo formati për të cilin dakordohet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo gjithmonë me një rezervë kushtetuese e cila e përjashton mundësinë që asnjë institucion qendror kushtetues nuk ka të drejtë që ta ketë për objekt diskutimi territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu, raporton Radio Evropa e Lirë.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë pozicionuar nga fillimi kundër Delegacionit shtetëror që është votuar në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit 2018, për të udhëhequr procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Për tetë vjet, ky proces negociatash është zhvilluar në Bruksel, në dy nivele, atë politik dhe teknik.
Qëllimi i dialogut, sipas Bashkimit Evropian është normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve paraqitet edhe si kusht i vënë nga BE-ja për të dy vendet në procesin e integrimit të tyre ne Bashkimin Evropian në të ardhmen. Por, që nga fundi i vitit të kaluar, procesi i dialogut ka mbetur i bllokuar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Kreu i ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj, refuzon të pezullojë vendimin e tij, përkundër presionit të madh ndërkombëtar. Ai disa herë e ka përsëritur se kjo tarifë doganorë do të hiqet kur Serbia do ta njohë shtetin e Kosovës.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...