Alternativa thotë se sot në Kosovë ishim dëshmitarë të dy dështimeve, me paaftësinë e liderëve të Kosovës të veprojnë në koordinim, e mendësia politike e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka ndërruar.
“Dështimi i parë ka të bëjë me një paaftësi totale të tre udhëheqësve kryesorë të vendit për të vepruar në bashkërenditje. Kjo ngase nuk pamë asnjë koordinim të veprimeve dhe deklaratave me njëri-tjetrin, përkundër faktit që situata ka mundur lehtas të eskalojë”, thuhet në një postim në Facebook të Alternativës.
Më Alternativa shton se kur presidenti i Kosovës drekon i qetë në Durrës me homologun e tij nga Tirana, kryeministri kënaqet me një gjysmë urdhri të vonuar për ndalimin e një pjese të itinerarit të paralajmëruar të presidentit serb, ndërkohë që, kryeparlamentari theksin e reagimit të tij ndaj gjithë vizitës së presidentit serb e vë në çështjen që lidhet me situatën e sigurisë gjatë kohës sa ky i fundit po mbante një konferencë për media mbi pendën e Gazivodës/Ujmanit, atëherë kjo s’ka si të quhet ndryshe përveçse një keqmenaxhim i plotë i një situate të tensionuar për vendin dhe banorët e tij.
“Nga ana tjetër, lideri rajonal aq i përkëdhelur nga Bashkimi Evropian, presidenti serb Vuçiq, qartazi ridëshmoi për të ku-me-ditë të satën herë se mendësia e tij politike nuk ka ndryshuar fare nga koha kur ishte një zëdhënës i devotshëm i ish-kriminelit serb, Sllobodan Milloseviq. Në fakt, Vuçiqi vetëm sa e ridëshmoi atë që ne këtu në Ballkan, e veçanërisht ne këtu në Kosovë, e dimë që nga fillimi; se Vuçiqi mund të jetë gjithçka tjetër, por jo prirës i proceseve që rajonin e Ballkanit e shpijnë drejtë BE-së”, thotë Alternativa.
Altetnativa shton se vizita, itinerari i vizitës i zgjedhur me kujdes, por edhe vetë fjalimi i tij, e dëshmuan qartë se ai nuk e ka ndryshuar fare mendimin për fqinjët e tij – qofshin ata shqiptarë, boshnjakë apo kroatë.
“Ka ndryshuar vetëm qasjen, ngase tani synimet që dikur Millosheviqi donte t’i arrinte me luftë, ky i ka mbuluar me petkun e gjoja integrimit dhe bashkëjetesës. Një thënie e vjetër thotë: Nuk mund të presësh që nga problemet të të nxjerrin ata që fillimisht të futën në to. Zhvillimet e sotme qartazi e dëshmuan këtë gjë. Nga cilido këndvështrim që të shikohet”, thotë Alternativa.
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...
Përveç rezultateve negative, Manchester United i del një pro...
Simeone trajneri i muajit në La Liga