Alternativa akoma nuk e ka paguar borxhin në PZAP

20:18 | 23 Qershor 2018
Arbresh.info

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kishte evidentuar shkeljet e partive politike në zgjedhjet lokale të 2017-tës, të cilave u shqiptoi gjoba që arrinin vlerën e 257 mijë e 350 eurove.

Mirëpo, jo të gjitha 15 partitë politike që u gjobitën kanë paguar “dënimet” që u janë vënë, shkruan Indeksonline.

Nga borxhi i përgjithshëm, 13 parti kanë shlyer borxhin që arrin në 239 mijë e 700 euro, derisa kanë mbetur dy parti që akoma kanë borxh 17 mijë e 650 euro.

Mul Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Aleanca e Mimoza Kusari-Lilës dhe KTAP janë dy partitë të cilat akoma s’kanë përmbushur obligimet e tyre.

“Dy subjekte politike: Alternativa 15,400.00 euro dhe KTAP 2,200.00 euro nuk i kanë paguar gjobat e shqiptuara nga PZAP-i për Zgjedhjet Lokale 2017. PZAP-i në përputhje me ligj do të vendos për inkasimin e këtyre gjobave”, ka thënë Desku.

Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila ditë më parë ka thënë për Indeksonline se arsyeja që nuk e paguajnë gjobën është se janë në pritje të një vendimi të PZAP-it për pagesë të programuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme