Dekreti i Presidentit për shkarkimin e Alma Lamës nga pozita e ambasadores s’po i mjafton diplomates së akredituar në Itali. Pavarësisht se Dekreti ka hyrë në fuqi qe disa muaj, ajo po vazhdon që ta ushtrojë këtë funksion.
Në MPJ deklarojnë se mandati i saj ka përfunduar, derisa thonë se nominimi i ambasadorit të ri do të bëhet shpejtë. Në Zyrën e Avokatit të Popullit thonë se Lama ka kërkuar që Dekreti të dërgohet në Kushtetuese, por se ende nuk kanë marrë informacione për këtë çështje nga MPJ’ja. Vetë Lama ka zgjedhur heshtjen.
Fjala e të parit të shtetit duket se nuk po u bënë shumë përshtypje diplomatëve që përfaqësojnë Kosovën në shtetet e tjera. Madje, as Dekretet që po nënshkruan nuk po e kanë fuqinë që e kishin dikur. Kundër një të tilli ka dalë së fundi Ambasadorja e Kosovës në Republikën e Italisë, Alma Lama.
Ndonëse po bëhen rreth 1 vit që nga dita kur Presidenti Hashim Thaçi nënshkroi Dekretin për tërheqjen e saj nga posti i ambasadores, ajo nuk po heq dorë nga ushtrimi i kësaj pozitë e me ngulm po refuzon që të kthehet në Kosovë.
Por, ditët e Lamës në këtë pozitë duket se po shkojnë drejt fundit. Brenda një kohë të shkurtër ajo do të zëvendësohet nga një ambasador tjetër.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë se mandati i ambasadores Alma Lama në Itali ka përfunduar.
“Konform dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës, mandati i ambasadores/shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë ka përfunduar”, kanë thënë në MPJ.
E për atë se kush do ta zërë vendin e Lamës ende nuk është vendosur.
“Nominimi i ambasadorit/shefit të Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë, do të ndodh shpejt. Për dekretimin e ambasadorit të ri në Itali do të ju mbajmë të informuar në momentin që ndodh”, thuhet në përgjigjet e MPJ’së drejtuar Gazetës Express.
Për të gjetur zgjidhje për këtë punë, Lama i është drejtuar edhe Avokatit të Popullit. Në nëntor të vitit të kaluar ajo i kishte kërkuar këtij institucioni që Dekretin për shkarkimin e saj ta dërgojë në Kushtetuese.
Në Institucionin e Avokatit të Popullit e kanë konfirmuar për Gazetën Express se ata kanë pranuar ankesë nga ish-ambasadorja Lama kundër Dekretit të Presidentit Thaçi.
Për këtë ankesë, Avokati i Popullit para më shumë se gjashtë muajve i është drejtuar me shkresë Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit për të marrë informacione për këtë rast, por që ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Avokati i Popullit, më 13 dhjetor 2018, i është drejtuar me shkresë z. Behxhet Pacolli dhe ka kërkuar informacione rreth rastit si dhe shkresat të cilat MPJ i ka dërguar në Zyrën e Presidentit, lidhur me rastin e znj. Lama. Më 28 janar 2019, Avokati i Popullit, meqenëse nuk ka pranuar përgjigje nga MPJ, e ka përsëritur shkresën për z. Behxhet Pacolli, mirëpo as në këtë shkresë përsëritëse nuk ka marrë përgjigje”, kanë thënë nga Zyra e Avokatit të Popullit.
Ky institucion thotë se do të insistoj që të marrë përgjigje nga MPJ’ja, derisa thonë se nëse edhe këtë herë nuk marrin përgjigje do të nxjerrin konstatim pavarësisht dështimit të autoriteteve për të ofruar përgjigje.
“Avokati i Popullit, si institucion i pavarur i cili, në mes tjerash, udhëhiqet nga parimi i paanësisë, para se të merr çfarëdo vendimi, zhvillon një proces hetimor me ç’rast kërkon informacione edhe nga palët përgjegjëse. Në rastin konkret, Avokati i Popullit ka kërkuar informacione nga MPJ, mirëpo, ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje. Meqenëse, nga ana e MPJ ka pas dështim për të ofruar përgjigje, Avokati i Popullit do të njoftoi institucionet të cilat mbikqyrin MPJ dhe do të insistoj në kërkesën për përgjigje. Në të kundërtën Avokati i Popullit mund të nxjerr konstatime për çështjen, pavarësishtë dështimit të autoriteteve për të ofruar përgjigje”, thuhet në përgjigjet e tyre drejtuar Gazetës Express.
Gazeta Express ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga ish-ambasadorja Lama se pse nuk po kthehet në Kosovë, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.
Ndryshe, në Ministrinë e Punëve të Jashtme jozyrtarisht kishin treguar se arsyeja kryesore e shkarkimit të saj kishte qenë paraqitja që ambasadorja i kishte bërë Kosovës si vend islamik.
“Një nga arsyet e shkarkimit të saj është se ajo e ka paraqitë Kosovën si çerdhe të islamikëve”, kishte thënë një burim i besuëshëm i Expressit brenda MPJ’së.
Lama, deputete që nga Kuvendi i Kosovës i kishte shpallur luftë ekstremizmit fetar, u largua nga Lëvizja Vetëvendosje për shkak të mosreagimit të partisë kur ajo u ofendua nga grupet fetare. Ajo pastaj kishte kaluar në LDK./Gazeta Express
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Angela Merkel shpreh ‘shqetësim të madh’ për rolin e Elon Mu...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...