Google ADS

Aleanca Kosova e Re kujton Ibrahim Rexhepin, thonë se ishte shtyllë e partisë

10:32 | 9 Tetor 2018
M. A.

Aleanca Kosova e Re ka mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të ish-gazetarit Ibrahim Rexhepi, i cili ishte anëtar i kësaj partie.

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli në këtë mbledhje ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të Ibrahim Rexhepit në emër të zv.kryeministrit njëherit Ministrit të Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“I dashur Ibro, çdo sekondë me ty do të mbetet në memorien time. Bashkë me Ibron na lidhin shumë punë dhe kujtime prandaj e kam të vështirë ta bind vetën se më nuk është në mesin tonë. Ai do të kujtohet ai një profesionist i vërtetë që ka lënë gjurmë në fushën e ekonomisë dhe gazetarisë”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se Ibrahim Rexhepi ishte shtyllë e AKR-së.

“Çdo rritje e AKR-së është edhe meritë e punës së madhe të Ibros që bënte. Ai në qeverinë e tanishme dha një kontribut të madh në MZHE. Ai ka lënë një boshllëk ne tavernën tonë. I lehtë të qofte dheu i Kosovës Ibro”, ka thënë ai, raporton Arbresh.info.

Gazetarja Albulena Mavraj në emër të gazetarëve ka thënë se Ibrahim Rexhepi çdoherë u ka ofruar këshilla.

“Ai ishte aq i afërt me ne. E donte shumë gazetarinë e ekonomisë. Për Ibrën dëgjohen vetëm fjale të mira. Gazetarët e kujtojnë si një zë kritik i ulur. Ai na kritikonte me atë zë ulur sa që na bënte të pendoheshim. Njerëzit vdesin vetëm kur harrohen ndërsa Ibra nuk do të harrohet. Ne me kolegët folëm e biseduam të krijojmë edhe çmimin ‘Ibrahim Rexhepi’. Ai nuk do të harrohet”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesi i familjes Rexhepi, Skender Rexhepi, ka thënë se nuk po mund të besojnë që Ibrahim Rexhepi nuk është në mesin e tyre.

“Ne me egoizëm mundoheshim ta mbanin për vete Ibron, por njerëzit e mëdhenj janë për të gjithë. Ai familjen tonë e ngriti në një piedestal shumë të lartë, dhe ne do të mundohemi ta ndjekim rrugën që e krijoi ai me shumë sakrifica e mundim. Dhimbja për ne si familje është shumë e madhe por kur po dëgjojmë vetëm fjalë të mira për të krenaria është më e madhe se dhimbja”, ka thënë ai në emër të familjes.

Ceremoni e Ibrahim Rexhepit do të mbahet sot në Slivovë të Ferizaj në orën 15:30./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme