Google ADS

Albulena Haxhiu: Nuk mund të tregojmë çfarë oferte i kemi bërë LDK’së

13:21 | 14 Janar 2020
Arbresh Info

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se çështja e kryeparlamentarit është e mbyllur dhe se opsioni i vetëm nëse nuk bëhet koalicioni me LDK-në janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Nuk ka thënë asnjëherë LDK që kryetari i Kuvendit i takon atyre, përkundrazi, ne kemi thënë që për hir të bashkëpunimit mund ta diskutojmë që propozimin ta vëmë nga radhët e LDK-së. Por, LDK e deshi edhe kryetarin e Kuvendit edhe presidentin, kur erdhëm në këtë situatë insistimi i LDK-së për presidentin dhe gjithçka ndryshoi dhe nuk kishte marrëveshje. Ne propozuam kryetarin e Kuvendit, por nëse nuk do ta votonte ai nuk do të kalonte. Ne vepruam në përputhje me kërkesat që ata i kishin. Nuk i kanë kushtuar rëndësi në takime pozitës së kryetarit por pasi u zgjodh u bë problem. Vendimi i 75 deputetëve është i pakthyeshëm. Nëse ata pranojnë ofertën tonë gjithçka do të ishte më e lehtë”, tha ajo.

Haxhiu ka pranuar ofertën e re për LDK-në, po që nuk ka dashur ta komentojë, por thotë se pas ofertës LDK-ja duhet ta thërras Këshillin Drejtues e ta shqyrtojë ofertën e më pas ta ftojë liderin tonë për takim, i cili duhet të ndodhë sa më shpejt.

Për prolongimin e arritjes së marrëveshjes, Haxhiu po e lë fajtore LDK-në, për të cilën thotë se në vazhdimësi parashtronte kërkesa të ndryshme, gjë e cila ka vonuar edhe procesin për një koalicion të mundshëm.

“Ne kemi nisur përpjekjet tona para 100 ditësh. kemi bërë gjithçka për ta mundësuar koalicionin me LDK-në. Madje kemi bërë edhe shumë kompromise vetëm për ta mundësuar dhe për ta jetësuar vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. Përkushtimin qe e kemi pasur në fillim vazhdojmë ta kemi sërish. Konsiderojmë që me 6 tetor qytetarët na kanë dërguar mesazh të qartë si parti fitues me Albin Kurtin kryeministër. Kemi pasur disa pengesa për këtë koalicion për shkak të kërkesave të LDK-së së pari për përfshirje të presidentit e pastaj pas 26 dhjetorit të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Ne kemi bërë një ofertë për LDK-në, presim që ata ta mbledhin Këshillin drejtues për ta shqyrtuar propozimin tonë për të dhënë përgjigje në raport me propozimin. Për hir të këtij koalicioni ne nuk mund ta themi se cili është propozimi jonë”, thotë ajo për EO.

Haxhiu nuk ka saktësuar ndonjë datë por që thotë se duhet të ndodhë sa më shpejt, pasi që vendi rrezikon të bllokohet për shkak të mos miratimit të buxhetit.

“Presim që ata ta thonë fjalën e tyre e pastaj të shohim se si do të shkojë tutje. Unë besoj që takimi do duhej të kishte. Duke marrë parasysh buxhetin e proceset e tjera. Unë besoj që do të ketë shpejt takime pasi që ne jemi të interesuar që mos të zgjasim më shumë. Vendi ballafaqohet me shumë probleme ne duhet të veprojmë më shpejt”, thotë ajo.

“Ne kemi përkushtim ë madh për këtë koalicion siç kemi thënë e vepruar. Shpresoj që LDK do ta pranon ofertën tonë në mënyrë që ti hapet rrugë krijimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Partner tjetër nuk do të kemi, përveç bashkëpunimit me partitë e minoriteteve. Sa i përket PAN tash parti të ndara ne nuk do të kemi bashkëpunim, pra alternativa e dytë janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që për Vetëvendosjen nuk janë të pranueshme pasi vendi po kalon në situata problematike. Nëse shkojmë të ky version, jemi të detyruar ta bëjmë një gjë të tillë”, përfundoi ajo,

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme