Albin Kurti synon të “thellojë” reciprocitetin, vlerësimet e ekspertëve

08:23 | 2 Prill 2020
Arbresh.info

Pas largimit ta tarifës 100%, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar masat e reciprocitetit me Serbinë në disa fusha duke përfshirë dokumentet që prekin çështjet tregtare, njohjen e kualifikimeve profesionale, targat e veturave dhe njohjen e dokumenteve të lëshuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina siç janë pasaportat, letërnjoftimet dhe patentë-shoferët.

E për të parë nëse ka ndonjë afat kohor për vendosjen e masave të tilla, arbresh.info ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti por nuk ka marrë përgjigje.

Këto masa njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Burajni i ka quajtur si komplekse.

Ai në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se është i pranueshëm reciprociteti politik nëse ai nuk shkakton masa stopuese tregtare.

“Pra, është e pranueshme reciprociteti politik kur flitet për dokumente dhe për targa por e pa pranueshme të stopohet tregtia si nga ana e Kosovës, si nga e Serbisë”, ka thënë ai.

Ai duke folur për masat e reciprocitetit ka thënë se diçka e tillë mund të vendoset vetëm për produktet që prodhohen në sasi të madhe për të mos dëmtuar prodhuesit vendor.

“Importon aq sa ka nevojë, por jo më shumë që rrezikon prodhuesit vendor”, ka thënë ai.

E njohësi tjetër i çështjeve politike në vend, Fatmir Sheholli ka thënë për arbresh.info se masat e tilla që janë në shqyrtim nga Qeveria e Kosovës nuk do të ndikojnë në procesin integrues të vendit.

Madje ai ka thënë se do të ndikojnë në dezintegrimin e procesit ekonomik, social e politik.

“Çështja thelbësore qëndron në atë se vendosja e reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk daton nga sot. Mirëpo ajo masë identike në thelb është vendosur nga qeveria Haradinaj, përkatësisht atëherë nga ministri Endrit Shala. Pra, kemi të bëjmë me një mashtrim optik të qeverisë Kurti rreth këtij vendimi. Zbatimi i masave të tilla nuk ndikon e as nuk sjellë procese integruse, por dezintengruese në kontekstin ekonomik, social e politik. Tarifa rrezoi dy qeveri të Kosovës dhe tani është koha e krijimit të unitetit politik e shoqëror te Kosovës që të kemi strategji dalëse nga kjo situatë e jo bajraktarizëm provincial”, ka thënë Sheholli.

Kujtojmë se ashtu siç kishte premtuar Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti pak orë para mesnatës më 31 mars ka vendosur për largimin e taksës doganore 100% ndaj Serbisë, duke vazhduar masat e reciprocitetit të qeverisë paraprake.

Por, në një dokument të Qeverisë thuhet se Kosova shqyrton masat e reciprocitetit në disa fusha duke përfshirë dokumentet që prekin çështjet tregtare, njohjen e kualifikimeve profesionale, targat e veturave dhe njohjen e dokumenteve të lëshuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina siç janë pasaportat, letërnjoftimet dhe patentë-shoferët. /arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme