Katër deputetët nga Lëvizjes Vetëvendosje janë paraqitur sot gjatë ditës në Gjykatën Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës. Në gjykatë ishte edhe Albin Kurti, i cili edhe ka mbajtur një fjalim, të cilin pak minuta më parë e ka postuar në profilin e tij në Facebook.
Kurti bashkë me Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun po akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare./Arbresh.info/
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
Data: 20 dhjetor 2017
Më datë 25.08.2015, në Bruksel, është nënshkruar marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafës dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiqit. Një ditë më vonë më 26.08.2015, në Vjenë është nënshkruar marrëveshja për Demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, nga pala kosovare, zv.kryeministri i athershëm Hashim Thaçi dhe ministri i brendshëm, Skender Hyseni, me homologët e tyre malazezë.
Të dyja këto marrëveshje janë nënshkruar atëherë kur Kuvendi i Kosovës ndodhej në pushim. Nuk kishte asnjë seancë plenare, në të cilën do të diskutohej përmbajtja dhe forma e atyre marrëveshjeve. Në qershor të po atij viti, Kuvendi i Republikës, deputet i së cilës isha edhe asokohe, ka miratuar një rezolutë në bazë të së cilës duhet që të diskutohet në Kuvend të Republikës, paraprakisht, çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare, përkatësisht marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.
Në muajin shtator dhe tetor të vitit 2015, ne e kemi alarmuar opinionin publik në Kosovë, për këto dy marrëveshje jodemokratike, jokushtetuese, e të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
Marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, që do të ketë kompetenca të plota në fushën e zhvillimit ekonomik, të kujdesit social, të planifikimit urban e rural. Parashihej që ai Asociacion, ta ketë Presidentin e vet, ta ketë Bordin Ekzekutiv me shtatë anëtarë edhe ta ketë një Asamble të vetën me tridhjetë anëtarë. Ai Asociacion, apo më mirë të themi Zajednicë, fitonte të drejta që të vendoste edhe marrëdhënie ndërkombëtare, me asociacione të ngjashme nëpër botë. Po të instalohej Zajednica, marrdhënia e Qeverisë së Kosovës me komunat me shumicë serbe do të bëhej e ndërmjetësuar me vetë Zajednicën.
Një komune do të duhej t’i qasemi nëpërmjet Zajednicës dhe një komunë do të na drejtohej neve nëpërmjet Zajednicës. Shembulli historik ishte i freskët, me datën 26 prill 1991, katërmbëdhjetë komuna me shumicë serbe në Bosnje formuan Asociacionin e tyre. Se vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë e formojnë Asociacionin e tyre. Me 9 janar të vitit 1992, ato shpallin pavarësinë. Me 28 shkurt të vitit 1992, fitojnë Kushtetutën. Ndërkaq me 14 dhjetor 1995, në Dejton të Ohajos edhe njohjen ndërkombëtare, të asaj që sot njihet si Republika Serbe. Ne asnjëherë s’kemi pasur dilema, në shekullin e XXI Serbia po përpiqej që ta bënte Serbinë e madhe, me shumë Serbi të vogla rrotull. Ky është imitimi i modelit rus, ku atje Federata Ruse ka shumë satelitë në fqinjësi, në formën e parashteteve vasale. Ngjashëm edhe në Kosovë, po na kërcënonte bosnjëzimi. Ne as nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër serbëve por kemi qenë dhe jemi kundër Serbisë, sepse ajo është kundër nesh edhe si shtet edhe si komb. Kjo është arsyeja themelore pse ne nuk kemi dashur të lejojmë normalizimin e asaj marrëveshje në institucionet e vendit.
Në anën tjetër, me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ne humbisnim 8200 ha, duke e zbritur kufirin prej kurrizit të vargmaleve, të bjeshkëve të Rugovës, poshtë në luginë. Kemi konsideruar që ujëndarja si kriter natyror dhe kontrolli efektiv i territorit si kriter politikë, i paraprijnë çfarëdo kriteri kadastral. Demarkimi i kufirit është çështje e ndarjes së sovranitetit midis shteteve, e jo e pronave private të qytetarëve. Duke qenë të bindur se ne po humbisnim territor nuk mund të lejonim një marrëveshje të tillë, të bëhej fakt i kryer në institucionet e Republikës. Ka qenë gabim i pafalshëm që pala kosovare ka pranuar që ne ta kemi barrën e provës për të dëshmuar se toka jonë është territor i yni.
Kur na është pamundësuar që të flasim në seancat e Kuvendit për këto çështje në muajin shtator dhe kur krerët shtetëror në rastin më të mirë dëshironin të binin vetëm një njoftim apo informatë në Kuvend për marrëveshjet që kishin bërë, ne filluam të organizojmë protestë edhe jashtë edhe brenda Kuvendit, praktikojmë padëgjueshmëri parlamentare sepse nuk mund të lejonim që të sillemi thuajse diçka normale ngjau më 25 dhe 26 gusht të vitit 2015. Kemi provuar me pipa fërshëllyes, kemi provuar me vezë e me ujë, e kemi provuar edhe me gaz lotësjellës që të mos lejojmë kurrsesi normalizimin e Zajednicës në Kosovë – Zajednicës së Serbisë në Kosovë, dhe Demarkacionit me Malin e Zi.
Më datën 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në aktgjykimin e saj se Zajednica e Serbisë, gjithsej në 23 nene të Kushtetutës së Republikës të Kosovës, përbën shkelje, përkatësisht nuk është në përputhje me të. Në kërkesën e Presidentes së atëhershme zonjës, Atifete Jahjaga, të datës, 30 tetor 2015, ajo kërkon edhe masën e përkohshme, me ç’rast thotë “njëra nga arsyet e pengesës fizike të mbajtjes së seancave plenare të Kuvendit të Kosovës janë pretendimet e partive opozitare për mospërputhshmëri kushtetuese të përmbajtjes së parimeve të Asociacionit”. Për shkak të situatës së krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pamundësisë që puna e Kuvendit të zhvillohet normalisht, Presidentja konstaton se duhet të pezullohet efekti i parimeve të Asociacionit, pasiqë është në interesin publik të evitohet përshkallëzimi i normalitetit. Secili kapitull, prej shtatë gjithësej, të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përmban elemente që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 74, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë që deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, pra ne më datën, 8.10.2015 dhe në seancat në vijim, kemi qenë plotësisht në ushtrimin e funksionit tonë si deputetë të Republikës për interesin më të mirë të saj, siç e ka vërtetuar më pastaj edhe Gjykata Kushtetuese.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe parashihej që të ketë edhe kompetenca shtese, madje, të cilat do të mund t’i delegoheshin nga autoritetet qëndrore, pra përcaktonte një shkallë të re të të drejtave që mund të rriteshin, por kurrë më të mos zvogëloheshin. Pas datës 23 dhjetor të vitit 2015, asnjë serb i Kosovës, jo që nuk ka bërë protestë por as letër proteste nuk ka dërguar pse u rrëzua Zajednica, e vetmja instancë që ishte e zemëruar ishte ajo që e kishte bërë projektin, dhe dërgoi notë proteste, Beogradi. Prandaj konteksti politik në të cilin ne vepronim si deputetë të Kuvendit të Republikës ishte mbrojtia e të mirave shoqërore dhe juridike jo nga qytetarët e Kosovës apo komunitetet në Kosovë por pikërisht nga një shtet i huaj. Po të instalohej Zajednica e Serbisë në Kosovë, do të kishim dy lloj shqiptarësh në Kosovë, shqiptarët shumicë në Kosovë dhe shqiptarët pakicë në Zajednicë, sepse përderisa në Kosovë jetojmë mbi 92% shqiptarë, në atë Zajednicë do të jetonin çereku i popullësisë joserbe, e shumica e tyre dërrmuese, natyrisht, shqiptarë. Ajo Zajednicë do të ishte e paprekshme nga institucionet e Kosovës, por ajo vetë do të kishte të drejtë që t’i drejtohej gjykatave në Kosovë, deri te Gjykata Kushtetuese.
Zajednica do të themelohej prej institucioneve të Kosovës por ajo nuk do të mund të shpërbëhej pastaj prej institucioneve të Kosovës. Ajo do të mund të shpërbëhej vetëm me vendimin e 2/3 të komunave anëtare. Kuvendi i Republikës së Kosovës mund ta rrëzojë Kryeministrin, Presidenti i Republikës së Kosovës mund ta shpërbëj Parlamentin, por as Kuvendi, as Qeveria, e as Presidenti nuk do të mund ta shpërbënin Zajednicën, në rast se ajo do të formohej. Ne kemi vepruar në një situatë ekstreme ku po cënohej sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionimi i Republikës, por kemi vepruar edhe në një rrethanë urgjente. Sot këto rreziqe nuk janë eliminuar, por janë jashtëzakonisht më të vogla se që ishin para dy vjetëve. Dhe unë jam shumë i lumtur për këtë!
Është tejet e rëndësishme që veprimet tona të rezistencës, e protestës të mos shkëputen nga arsyeja e qëllimi ynë. Nuk mund të ndërpritet kronologjia e zhvillimeve duke u nisur nga tymi në sallë sepse asisoj gjithçka reduktohet në spektaklin e gazit, ku sikurse në çdo spektakël ajo që është interesante, e me interes është ajo që shihet dhe vetëm ajo që shihet, e jo ajo që mendohet dhe besohet. Veprimi ynë nuk është i reduktueshëm në imazhin e spektaklit televiziv. Pra për ta kuptuar veprimin tonë duhet ta inkuadrosh mendjen edhe zemrën, e jo vetëm syrin. Gjer më tani ky proces gjyqësor është udhëhequr me fokusim prej syrit të tymit, pa mendje dhe pa zemër. Ne jemi të bindur që me veprimet tona politike dhe publike i kemi sjellur dobi Kosovës dhe kemi penguar dëme të mëdha. Kurse pasojat tona janë aq të vogla saqë të papërfillshme, aqë të atypëratyshme saqë tërësisht të paqëndrueshme.
Objekti mbrojtës i normës penale është mbrojtia e të mirave shoqërore dhe juridike brenda territorit të caktuar. Ne deputetët që kemi ndërmarrë aksione politike brenda autorizimeve që na i beson Kushtetuta e Kosovës, kemi bërë veprime që kanë marrë legjitimitetin e plotë shoqëror dhe juridik. Në njërën anë kemi nënshkrimin e mbi 205 mijë qytetarëve, që i kundërshtojnë këto dy marrëveshje, e që paraqet legjitimitet politik ndërkaq në anën tjetër kemi vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues, që paraqet instancën përfundimtare për interpretim të Kushtetutës, Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht legjitimitetin juridik. Këto të dyja përbëjnë bërthamën legjitimuese të veprimeve tona për kundërshtim politik ndaj këtyre marrëveshjeve të cilat kanë cënuar si të mirat shoqërore po ashtu edhe të mirat juridike, të faktuara tashmë edhe juridikisht. Meqë këto dy marrëveshje kanë cënuar të mirat shoqërore dhe juridike të shtetit të Kosovës, kjo procedurë nuk ka asnjë kuptim.
Norma penale të cilën po tenton ta zbatojë kjo gjykatë, ka humbur kuptimin e objektit mbrojtës, thjesht nenet e Kodit Penal në këtë rast nuk kanë çka të mbrojnë. Objekti mbrojtës i këtyre normave penale do të duhej të ishin veprimet e personave që kanë ndërmarrë veprime politike me të cilët kanë cënuar të mirat shoqërore dhe juridike të shtetit të Kosovës. Faleminderit!
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...