Kryeministri, Albin Kurti, vazhdon të shprehë kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropian në lidhje me vonesat në marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Mos liberalizimi i vizave ka qenë një padrejtësi e madhe dhe një jo korrektësi ndaj qytetarëve të vendit tonë që kanë vuajtur shumë”, deklaroi Kurti në Slloveni, në ditën kur shefat e vendeve anëtare mblidheshin për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
E njohës të çështjeve politike kanë mendime të ndryshme, kjo për faktin se mos liberalizimi i vizave ndaj Kosovës është shenjë diskriminimi, por ka edhe mendime që Kosova nuk duhet të insistojë në këtë drejtim edhe aq shumë.
Analisti Shkodran Ramadani, për arbresh.info, tha se kryeministri Kurti duhet të jetë më këmbëngulës dhe të mos pranoj kushtëzime në këtë drejtim.
“Është një e drejtë e patjetërsueshme e banorëve të Kosovës, pasi që jemi të vetmit në Evropë që nuk kemi të drejt lëvizjeje”, tha Ramadani.
Por, sipas analistit, Nexhmedin Spahiu, kryeminisrti Kurti nuk duhet të jetë insistues për liberalizimin e vizave.
“Kurti nuk duhet të jetë insistues në këtë drejtim por duhet të interesohet ta krijojë një jetë më të mirë në Kosovë, që të krijojë një shpresë për një jetë më të mirë tek popullata e Kosovës në mënyrë që rinia të mos ikë prej Kosove, e liberalizimi bëhet në atë moment”, tha Spahiu.
Besimi i humbur në Bashkimin Evropian mund të rikuperohet sipas analistëve vetëm duke kushtëzuar raundet e radhës të dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ramadani vlerëson se me këtë nivel të bashkëpunimit nuk mund të ketë kredibilitet të arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Edhe Kosova duhet të jetë vigjilente edhe të mos përfshihet në një ndonjë pjesë të marrëveshjes liberalizimi i vizave për shkak se Kosova nuk duhet të bëjë kompromise të mëtejshme për të marr diçka të cilën ajo është dashur ta ketë që moti”, tha Ramadani.
E sipas Spahiut, qeveritë e vendeve evropiane e kanë parasysh rrezikun që paraqet liberalizimi i vizave.
“Prandaj nuk po pranojnë liberalizimin e vizave, sepse kanë përshtypjen se më shumë se gjysma e popullsisë në Kosovë do ta lëshoj Kosovën dhe kjo është një rrezik për Kosovën”, tha Spahiu.
Skeptikë shprehen kur bëhet fjalë për muajt e ardhshëm shkaku që Franca ka zgjedhjet lokale, ndërsa Gjermania ende nuk ka një qeveri.
Këto dinamika, analisti Ramadani thotë se do të reflektojnë edhe në vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Besoj që 5-6 muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë për shkak që Franca i ka zgjedhjet lokale, Gjermania ende nuk ka qeveri e po ashtu edhe Serbia do të ketë zgjedhje kështu që këto dinamika do të reflektojnë edhe në procesin e dialogut dhe do të jetë e vështirë që Kosova të arrijë atë se çfarë ajo dëshiron”, deklaroi Ramadani.
Sipas Spahiut, Kosova vetëm pasi të largohet nga insistimi i tepërt mund të ketë përgjigjeje pozitive.
“Sa ma shumë që kërkohet liberalizmi, aq më shumë kanë me e shty vendet e Bashkimit Evropian që të mos bëhet liberalizimi i vizave, sepse liberalizimi po kërkohet vetëm për me ik prej Kosove, në ndërkohë që kjo nuk është interes i Kosovës dhe as i BE-së. Jam i bindur se në momentin kur nuk do të insistohet për liberalizim atëherë do të ndodhë, sepse atëherë do të shihet që njerëzit e saj janë të interesum me jetua në Kosovë”, deklaroi Spahiu.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk lëvizin lirshëm në zonën Shëngen, pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve, dhe pavarësisht rekomandimit nga Komisioni Evropian disa herë radhazi./S.D/arbresh.info/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale