Albin Kurti, për BBC-në në serbisht: “Besoj se Bashkimi Evropian mund të jetë më aktiv dhe më i qartë”

14:22 | 17 Gusht 2022
K.B

Kur herën e fundit, menjëherë pasi u zgjodh në postin e kryeministrit, foli për BBC në serbisht, Albin Kurti e vendosi dialogun me Serbinë në vendin e katërt të prioriteteve të tij.

Në 18 muajt e fundit, në rrugët e veriut të Kosovës, të populluar me shumicë nga komuniteti serb, tri herë janë ngritur barrikada, dy herë janë mbyllur vendkalimet, në targa vendosen afishe, është planifikuar pastaj shtyrë zëvendësimi i targave për qytetet e Kosovës të lëshuara nga Serbia, ndërsa në patrullat kufitare të Policisë së Kosovës hedhen mjete shpërthyese – dhe kjo është vetëm një përshkrim i shkurtër i tensioneve të rritura.

“Po të shikosh kohën që e shpenzoj, në publik mund të duket se kjo çështje është ngritur në listën e prioriteteve, por unë konsideroj se në thelb nuk e ka ndryshuar vendin.

“Vendet, e punës, drejtësia dhe problemet e vazhdueshme janë ende aty, e as vendi i katërt nuk është aq i keq – unë merrem me shumë tema”, do të thotë me një buzëqeshje të lehtë Kryeministri i Kosovës, ndërsa nga muri pas shpinës së tij e vështron portreti i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën i menaxhojnë së bashku proceset politike në Kosovë për gati një vit e gjysmë.

Të enjten, më 18 gusht, Albin Kurtin e pret takimi në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kanë kaluar më shumë se një vit nga një bisedë e fundit e tillë, megjithëse në ndërkohë negociatorët u takuan në një format tjetër në maj, në Berlin.

“Është herët të thuhet se si do të përfundojë dhe çfarë karakteri do të ketë takimi.

“Ky takim është dashur të mbahet më 19 korrik, por presidenti serb ka kërkuar që të shtyhet për një muaj.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut, i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialog.

A mund të jetë historik takimi në Bruksel?

Teksa flasim pesë ditë para takimit të Brukselit, Albin Kurti nuk ka një përgjigje konkrete për këtë pyetje.

“Bisedimet po zhvillohen në dy pista dhe e para është takimi i liderëve ku do të kemi dy pika: elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes dhe çështjet aktuale, ndërsa besoj se do të vazhdojmë pikërisht me atë renditje.

“Këto dy pika janë shumë të përgjithshme, por shpresoj se do të futemi në tema më specifike ndërsa bisedimet zhvillohen”.

Si pistë të dytë ai përmend bisedimet e ekipeve negociatore të udhëhequra nga Besnik Bislimi, nënkryetar i Qeverisë së Kosovës dhe Petar Petkoviq, shef i Zyrës për Kosovë dhe Metohi të Qeverisë së Serbisë.

“Pika, të ndryshme” në bisedimet mes dy liderëve tashmë definohet ndryshe që para hyrjes në takim.

Beogradi insiston në diskutimin e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) e përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit nga viti 2013 dhe akuzon autoritetet e Kosovës se nuk e zbatojnë atë, Prishtina thekson se Serbia nuk respekton marrëveshjet e arritura së fundmi për targat dhe energjetikën.

Kryeministri i Kosovës me gatishmëri do të pohojë se “me Serbinë ka arritur dy marrëveshje dhe i ka përmbushur të dyja, por Serbia nuk ka përmbushur pjesën e saj”.

“Sa i përket regjistrimit, Serbia ka tejkaluar afatin në prill dhe ja tani sërish në problem.”

“Për sa i përket energjetikës, institucionet e Kosovës e kanë regjistruar kompaninë Elektrosever për dy ditë, e cila kishte një javë për të na ofruar të dhëna të freskëta për përdoruesit – gjë që nuk u bë as pas tetë javësh”.

Marrëveshja e përkohshme për targat u arrit vjeshtën e kaluar, ndërsa në prill kohëzgjatja e saj u zgjat për gjashtë muaj – deri në formimin e qeverisë në Serbi.

Sipas asaj marrëveshjeje, pronarët e targave të lëshuara në Serbi i mbulojnë shenjat e shtetësisë me afishe kur hyjnë në Kosovë, ndërsa pronarët e veturave me targa të Kosovës bëjnë të njëjtën gjë kur hyjnë në Serbi.

Marrëveshja e fundit për energjetikën, e cila asnjëherë nuk është prezantuar plotësisht për publikun, ka të bëjë me çështjet e kontrollit mbi burimet energjetike në veri të Kosovës.

Gjithashtu është planifikuar të vendoset tarifë për përdorimin e energjisë elektrike për banorët e atyre komunave, të cilët që nga viti 1999 nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike.

“Është interesant fakti që më kërkohet të vazhdoj atë që kanë bërë paraardhësit e mi, ndërkohë që Serbisë nuk i bëhet presion për të zbatuar atë që kanë rënë dakord me mua.

“Ndoshta unë jam një negociator i vështirë, por ajo për të cilën jam dakord – përmbushet.”

Me vërejtjen se edhe Christopher Hill, ambasadori amerikan në Beograd, kërkoi të flitet për AKS-në, Kurti fillimisht do të kujtojë me buzëqeshje se Hillin e njeh prej 24 vitesh për shkak të përvojës së pasur të diplomatit amerikan, i cili ka qenë i përfshirë në çështjet e marrëdhënieve ballkanike prej shumë vitesh.

“Hill është një ndërmjetës i heshtur midis Serbisë dhe Kosovës, kështu që ai nuk do të thoshte diçka të tillë para se Beogradi ta kërkonte atë”.

“Është interesante që këtë nuk po e kërkojnë serbët nga Kosova sepse ata thonë se kanë nevojë për vende pune, drejtësi, ekonomi më të mirë dhe më e rëndësishmja, luftë kundër korrupsionit.

Kryeministri i Kosovës pret më shumë nga ndërmjetësi, në zyrat e të cilit do të takohet me presidentin serb.

“Besoj se BE-ja mund të jetë më aktive dhe më e qartë.

“Ne kemi të drejtë të presim më shumë nga BE-ja, veçanërisht për të treguar më shumë qartësi dhe vendosmëri për pozicionet e veta, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarje si barrikadat dhe incidentet e fundit”.

Nga një vendim i fuqishëm, përmes barrikadave, tek shtyrja e mesnatës

Snajperët e Kosovës, agresioni luftarak serb, likuidimet e serbëve, barrikada të ndërtuara si fortifikime për të shtëna, e jo bllokim i trafikut.

Shkëmbimi i vlerësimeve të tilla verbale mes Beogradit dhe Prishtinës janë uvertyrë e takimit në Bruksel, si pasojë e ngjarjeve të fundjavës së fundit të korrikut.

Qeveria në Prishtinë më herët kishte njoftuar se nga 1 gushti në vendkalimet kufitare do të fillojë lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me letërnjoftime serbe, gjë që Serbia e ka bërë në drejtim të kundërt për më shumë se një dekadë, duke arsyetuar këtë me mosnjohjen e dokumenteve të Kosovës.

Po ashtu, pronarëve të veturave me targa të qyteteve të Kosovës, por të lëshuara nga Serbia, u është lënë afat dy muaj për t’i regjistruar ato me targa të Republikës së Kosovës.

Një ditë para fillimit të zbatimit të këtyre masave, rrugët në veri të Kosovës u bllokuan, Prishtina shtoi patrullat policore, në Mitrovicën Veriore të populluar me serbë, u dëgjuan sirenat dhe mediat u vërshuan me lajme të paverifikuara për gjoja përleshje në terren.

“Kishte një mungesë të dukshme të informacioneve të inteligjencës nga institucionet e ndryshme, jo vetëm nga shteti ynë, për atë që po ndodhte – u nënvlerësua agresiviteti i Serbisë ndaj Kosovës dhe dëshira e Beogradit për të befasuar.

“Ka pasur thirrje edhe nga Brukseli për shtyrjen e zbatimit të vendimeve, por doja t’i siguroja të gjithë se po tregoja vullnet të mirë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, jo sepse publiku nuk ishte mjaftueshëm i informuar, por sepse fushata e nxitjes së frikës e udhëhequr nga Beogradi kishte shumë më shumë ndikim se sa e kishim menduar”, thotë Kurti.

Kriza nuk u zgjidh as përkohësisht me telefonata nga Brukseli, por me ardhjen e Geoffrey Hovenier, ambasadorit amerikan në Kosovë, në një takim urgjent me Qeverinë e Kosovës, pak para mesnatës së 1 gushtit.

Ambasadori amerikan njoftoi para mediave skenarin e heqjes së barrikadave dhe shtyrjes së zbatimit të masave të Prishtinës për një muaj, edhe para se Qeveria e Kosovës të merrte zyrtarisht vendimin.

“Nuk më intereson se si do të më shohin të tjerët në aspektin e vendimmarrjes së pavarur, sepse besoj se Kosova është shumë më e pavarur se Serbia – Serbia është shumë më e varur nga Rusia”.

Madje edhe ky lloj skenari është fitore për kryeministrin e Kosovës.

Dhe një për të cilën do të flasë në vetën e parë njëjës.

Në mesnatë kam filluar t’i lëshoj ato dokumente dhe në pikat kufitare janë lëshuar 2679 – e dija që nuk do të mund t’i hiqnin barrikadat në mesnatë dhe i lëshova dokumentet në orën 19:00, me një kohë pritjeje prej vetëm 20 sekondash, që është pakrahasueshëm më shpejtë se Serbia.

“Barrikadat ishin një shembull shumë i thjeshtë i reagimit të tyre të paramenduar që e kishin përgatitur përpara sepse e dinin që ne do të ishim shumë të butë dhe efikas – unë nuk kam konfiskuar dokumente”.

Megjithatë, përkundër pohimeve se ai zgjodhi një qasje të butë dhe efikase, Kurti e ka të qartë se tensionet dhe frika mes serbëve të Kosovës janë ngritur në një nivel më të lartë.

“Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi për këtë, është pasojë e fushatës dezinformuese të udhëhequr nga Serbia.

“Fushata ishte shumë agresive, sepse ata e dinin se asgjë nuk do të ndodhte më 1 gusht, dhe për shkak se e dinin se njerëzit do të bashkëpunonin me policinë në kufi, ata vepruan në mënyrë preventive”.

Krahasimi me idealen dhe kritika që ndihmon.

Edhe vetë Kurti tani po vepron në mënyrë preventive.

Në pritje të afatit të ri për fillimin e zbatimit të masave të Qeverisë së Kosovës, në një video të publikuar në kanalet zyrtare të komunikimit, u drejtua në gjuhën serbe – dhe ky nuk është mesazhi i tij i parë i tillë.

Zemërgjerësia ime, të folurit në gjuhën serbe dhe komunikimi i drejtpërdrejtë përcillet me presion dhe maltretim në rritje brenda komunitetit serb në Kosovë.

“Ka gjithnjë e më shumë serbë që bashkëpunojnë me mua, por edhe gjithnjë e më shumë janë të ekspozuar ndaj presionit nga Serbia”, thotë Kurti dhe jep shembullin e dorëheqjes së një këshilltari politik nga radhët e komunitetit serb, vetëm dy orë pas emërimit.

Megjithatë, komunikimin e Kurtit me serbët e Kosovës e kritikuan edhe ata që nuk janë pjesë e Listës Serbe, të afërt me Beogradin zyrtar.

Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, tha se serbët janë “më shumë të interesuar për përmbajtjen e mesazhit sesa për gjuhën në të cilën do t’u drejtohet”.

“Është shumë interesante të më krahasoni me njëfarë ideali të imagjinuar të politikanit të përsosur dhe lirisht vazhdoni ta bëni këtë – kritika gjithmonë ndihmon.

“Por a mund ta imagjinoni presidentin apo kryeministrin serb të flasë në gjuhën shqipe apo në një gjuhë tjetër të pakicave?”

Kurti mendon se një pikëpamje e tillë e rolit të tij ka edhe mesazhe të tjera.

“”Është një çekuilibër i madh në pritshmëritë – nga unë janë shumë të larta, kurse nga presidenti i Serbisë janë shumë të ulëta.

“Nga ana tjetër, pritshmëritë e ulëta të Perëndimit ndaj presidentit serb tregojnë se çfarë në të vërtetë mendojnë ata për të”.

Ndaj pohimnit se nuk ka bërë gjithçka që ka mundur në marrëdhëniet me komunitetin serb nga frika për rejtingun dhe imazhin e vet politik brenda komunitetit shqiptar, Kurti do të thotë kategorikisht të kundërtën.

“Nuk ka të bëjë me imazhin tim, nuk e di pse mendoni kështu.

“Si dikush që e njeh të kaluarën time politike, ju e keni të qartë se nuk kujdesem shumë për imazhin tim – kam qenë aktivist gjatë gjithë jetës sime, duke folur dhe jetuar sipas idealeve”.

Pohon se është i gatshëm t’i përmirësojë marrëdhëniet.

“Edhe pse nuk mendoj se njerëzit janë aq të frikësuar nga situata në Kosovë, unë jam i gatshëm të angazhohem në një bisedë me këdo që nuk ndihet i sigurt, megjithëse nuk është aq e lehtë të luftosh fushatën agresive propagandistike që bëhet në mediat e gjuhëve të tjera, e që nuk është shqipja.

“Me fushatën e frikësimit të njerëzve, Beogradi mund të ketë njëfarë suksesi, por ju e dini se cila është rruga e diktaturës – nga një fitore e vogël, nëpërmjet një fitoreje të vogël, në humbjen përfundimtare”.

Si do të duket 1 shtatori?

Kryeministri i Kosovës nuk shqetësohet se ajo që u ndërpre para mesnatës së 1 gushtit mund të jetë pikënisja nga e cila do të fillohet më 1 shtator.

“1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare – ose do të nxjerrim dokumente për hyrje-dalje, ose të dyja palët do t’i heqin.

“Nuk po e përjashtoj dhe shpresoj se do të flasim për këtë temë në korniza të temës çështje aktuale”.

I pyetur nëse kjo është realisht platforma e tij negociuese për bisedimet e Brukselit, Kurti thotë se një propozim të tillë tashmë ia ka paraqitur presidentit serb në një takim të organizuar në kuadër të iniciativës së bashkëpunimit të liderëve rajonalë Brdo Brioni.

“I thashë atij – njihni dokumentet e Kosovës, kurse ai më tha se është e papranueshme sepse kështu do të njihej pavarësia.

“Edhe pse kjo do të ishte mirë, i thashë se nuk është e vërtetë – Sllovakia, Greqia, Rumania nuk e njohin pavarësinë, por i njohin dokumentet e Kosovës.

“Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, së pari është e rëndësishme t’u bashkohet atyre anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Dhe ndërsa dokumentet e hyrje-daljes mund të jenë një pengesë e vogël, për zëvendësimin e targave të cilat për qytetet në Kosovë lëshohen nga Serbia, kryeministri Kurti nuk ka alternativë.

Kurti: “Do të vazhdojmë me fushatën informuese për ndërrimin e targave me përfitime të shumta – pa TVSH, akcizë dhe doganë. Zëvendësimi mund të fillojë menjëherë dhe afati i përfundimit të procesit nuk do të jetë 1 shtatori, por dy muaj më vonë”.

BBC: “Por çfarë do të bëni nëse askush nuk i ndërron targat?”

Kurti: “Beogradi është i shqetësuar sepse mendoj se njerëzit do të pranojnë t’i ndërrojnë, kjo është në favor të serbëve të Kosovës. Por për mua është e qartë se edhe kur të përfundojë procesi, nuk do të jetë fundi – na duhet një marrëveshje me Serbinë sepse gjithçka është e pjesshme derisa të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, bazuar në njohjen reciproke”.

Mandati i parë i Albin Kurtit si kryeministër zgjati më pak se dy muaj, i dyti ende nuk ka arritur në gjysmë, por lideri i Vetëvendosjes beson se pikërisht në këtë mandat do të mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të tillë.

“Është e mundur të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme e bazuar në njohjen e ndërsjellë në një ose dy vitet e ardhshme, sa më shpejtë aq më mirë”.

“Është e qartë se qenia e Kosovës është e shëndoshë, por marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë – dhe ne nuk e vëmë në dyshim qenien tonë, ashtu siç nuk po e bëjnë gjithnjë e më shumë lojtarët ndërkombëtarë”.

Katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosovën e kanë njohur rreth 100 shtete. Megjithatë, numri i saktë nuk dihet.

Prishtina thekson një shifër prej 117 shtetesh, ndërsa në Beograd thonë se janë shumë më pak.

Ndër vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Greqia dhe Rumania, e kur bëhet fjalë për fuqitë botërore, ato janë Rusia, Kina, Brazili dhe India.

Që nga viti 2008, Kosova është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe FIFA, por jo edhe në Kombet e Bashkuara. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme