Albin Kurti mbron gjyqtarin që e krahasoi me diktatorin korean

00:10 | 27 Mars 2020
Trina Galanxhi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për Koha.net lidhur me arbitrin e futbollit të pezulluar sot për fyerje ndaj tij.

Qëndrim Vata është suspenduar nga Komisioni i Gjyqtarëve të FFK-së për shkak të një postimi fyes ndaj kryeministrit në detyrë, Kurti.

Arbitri Vata në postim e tij ka krahasuar Kurtin me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un. Përmes një fotomontazhi, arbitrit i futbollit ka kombinuar fytyrën e Kurtit me flokët dhe veshjen e diktatorit veri-korean.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se arbitri i futbollit nuk duhet të ketë pasoja për shprehje të lirë. Sipas Kurtit është mirë që shprehja e lirë të jetë edhe e mirë, por kjo është në ndërgjegjen e secilit.

“Sot lexova në media se një arbitër futbolli është pezulluar sepse më ka ofenduar në rrjete sociale. Nuk i di rregullat organizative të federatës, mirëpo qëndrimi im është se askush nuk duhet të ketë pasoja prej shprehjes së lirë”, ka thënë Kurti për Koha.net.

“Mirë është që shprehja e lirë të jetë edhe shprehje e mirë, mirëpo ajo është çështje e ndërgjegjes së gjithkujt. Arbitri Vata është në të drejtën e tij si qytetar të kritikojë dhe të mos e pëlqejë fare kryeministrin e Kosovës. Ne nuk jemi duke ndërtuar një shoqëri ku ndalohet kritika ndaj kryeministrit apo cilitdo tjetër, por një shoqëri të lirive e të drejtave demokratike”, ka shtuar kryeministri në detyrë Kurti.

Arbitri i futbollit është arsyetuar duke thënë se dikush ia ka thyer fjalëkalimin dhe se ai nuk qëndron prapa postimit. Por Komisioni i Gjyqtarëve të FFK-së nuk mori përsipër arsyetimin e arbitrit dhe ka hapur procedurë disiplinore ndaj tij. Masa e pezullimit të tij është bërë në bazë të kodeksit të mirësjelljes për anëtarët e FFK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme