Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka publikuar një shkrim të gjatë në profilin e tij në Facebook, me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit, duke vënë theksin në atë që ky muaj e shpreh më së miri, ndjenjën e solidaritetit me të tjerët.
Kurti ka përmendur veprimtarët më të shquar shqiptarë që ishin myslimanë, edhe pse thotë se nuk mundi t’i përfshijë të gjithë.
Kurti, ka uruar komunitetin mysliman edhe me rastin e Festës së Bajramit.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Sot është dita e fundit e një muaji të shenjtë për besimtarët myslimanë, siç është Ramazani. Ky muaj karakterizohet nga sakrifica e përditshme që bëhet për të përmirësuar vetveten e për t’iu afruar idealit që dëshirojnë vetë besimtarët. Por, edhe përtej komunitetit të besimtarëve, mesazhi e shembulli i sakrificës së përditshme është i vlefshëm. E si do të mund ta ndërtojmë vendin e atdheun tonë, si do të mund ta përparojmë kombin e shoqërinë tonë pa sakrifica të përditshme? Këto sakrifica janë të vogla po t’i shohim sakrificat e mëdha që kanë bërë njerëzit e shquar të kombit tonë, pa dallim feje a besimi. Ne i përkujtojmë ata me respekt, e meqë nesër do të jetë festa e madhe e besimtarëve myslimanë, Bajrami, unë sot dëshiroj të kujtoj me nderim kontributin dhe sakrificën e disa veprimtarëve atdhetarë myslimanë të shquar nga Kosova. Sigurisht, për arsye vendi e kohe nuk do të mund t’i përmend të gjithë.
Mund t’ia nisim duke përmendur rilindasin e shquar, një nga figurat themelore të shqiptarizmës, Ymer Efendi Prizrenin, intelektualin atdhetar, veprimtarin e Komitetit të Stambollit bashkë me vëllezërit Frashëri, organizuesin e kuvendit e kryesuesin e qeverisë autonome të Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu mund të përmendim Hoxhë Kadri Prishtinën, veprimtar i çështjes kombëtare, kryesues i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet ´20, promovues i kulturës dhe gjuhës shqipe, botues e dijetar, bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i Hasan Prishtinës, i cili qysh atëherë kërkonte që arsimi fillor e ai gjysmë i mesëm të ishte falas dhe për të gjithë fëmijët. Ose, mund të përmendim edhe Mulla Hasan Masuricën nga Kamenica e Hafiz Ymer Shemsiun nga Prishtina, që përveçse dijetarë të fushave të ndryshme, luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve bullgarë e kundër atyre serbë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ose, imami Arif Shala nga Drenica, i cili në vitet 1930 u shqua për aktivitetin e tij kombëtar, duke i thirrur njerëzit në edukimin shqip, duke e kundërshtuar shpërnguljen e popullit shqiptar të Kosovës në Turqi, e duke dalë hapur kundër politikave kolonizatore të Serbisë, por po ashtu edhe kundër pushtuesve nazi-fashistë. Imami Arif Shala pas Luftës së Dytë Botërore doli komit, në përpjekje për ta çliruar Kosovën e për ta bashkuar atë me Shqipërinë, dhe aty ra dëshmor. E nuk mund të lëmë pa përmendur figurën e shquar, Mulla Idriz Gjilanin, edukuesin e arsimuesin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, me frymën kombëtare, me idealin e bashkimit, dhe me dashurinë për shqipen. Bamirës i madh, hapës i shkollave, ndërtues i veprave publike dhe themelues i organizatave patriotike, edhe Idriz Gjilani i përket atij grupi atdhetarësh myslimanë që për çështjen kombëtare kanë kapur armën e kanë luftuar. Ai ra dëshmor në përballje me represionin e armatosur serb e jugosllav në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
Përveç këtyre pionierëve të atdhedashurisë, kanë qenë dhjetra hoxhallarë e imamë, me mijëra besimtarë myslimanë, që kanë vepruar bashkë me shqiptarë të besimeve të tjera apo edhe me ateistë, për ta mbajtur gjallë frymën e organizimin kombëtar gjatë viteve të regjimit jugosllav, e shumë prej tyre kanë përfunduar të ekzekutuar apo kanë mbajtur vite të gjata në burgjet jugosllave. Ia vlen po ashtu të kujtojmë se gjatë viteve të ’90-ta Medreseja e Prishtinës ishte bërë vendi i tubimeve politike të rezistencës shqiptare kundër Serbisë dhe se 37 hoxhallarë kanë rënë dëshmorë në luftën për çlirimin e Kosovës duke luftuar në radhët e UÇK-së.
I kujtojmë ata gjithmonë me nderim, të bindur se shqiptarët myslimanë edhe në të tashmen, edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë me bashkatdhetarët e tyre të cilitdo besimi qofshin, që të kontribuojnë edhe më ashumë për kombin, për dijen, për shkencën, për artin, për ekonominë e për shoqërinë, si dhe për përparimin e kombit tonë drejt barabarësisë me kombet e tjera
Tjetër hap fals për Chelsean, mposhtet nga Ipswichi
Policët e Shqipërisë shpërblehen me nga 10 mijë lekë për fun...
Parashihet rritje e madhe e shitjeve të veturave elektrike n...
Nga klima, pandemitë dhe hapësira, parashikimet shkencore pë...
Doni të jeni më të lumtur? Ja pesë hapa për ta arritur këtë
Haradinaj në Pejë zotohet për mbështetje të pakompromis ndaj...