Albin Kurti homazhe te varri i heroit Sulejman Vokshi

23:20 | 16 Qershor 2018
Arbresh.info

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka bërë homazhe te varri i heroit Sulejman Vokshi, një prej figurave kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një prej udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare.

Sipa Kurtit është fatkeqësi se si një figurë e tillë, themelues i idesë së një ushtrie kombëtare shqiptare, sot nuk e ka përkujdesjen e duhur institucionale.

Lexoni më poshtë statusin e plotë të Kurtit në Facebook:

Sot në Gjakovë, me deputeten Arbërie Nagavci, nënkryetarin Bashkim Rrahmani, sekretarin organizativ Ngadhënjim Dana, asamblistët Mimoza Shala, Agon Batusha, Kreshnik Alija dhe Lirika Komoni, si dhe aktivistë të tjerë nga kjo Qendër, nderuam personalitetin e shquar historik, heroin e popullit shqiptar, Sulejman Vokshin, një prej figurave kryesore të Lidhjes së Prizrenit, një prej udhëheqësve të Lëvizjes sonë Kombëtare.

Sulejman Vokshi ka patur një përvojë të gjatë luftarake: ai ende pa i mbushur të tridhjetat ka qenë pjesëmarrës në kryengritjet shqiptare të viteve 1843-1844, kryengritjet e udhëhequra nga Dervish Cara e të tjerë.

Këto kryengritje u shtrinë gjerësisht në trojet shqiptare, në sanxhaqet e Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës, e njëkohësisht ekzistojnë dokumentet historike që dëshmojnë se synuan të bashkëpunonin dhe të bashkërendoheshin edhe me bashkëkombasit e tyre në vilajetin e Janinës.

Kryengritjet popullore kundër reformave të Tanzimatit kësisoj u bënë pararendëse të Lëvizjes sonë Kombëtare, dhe për Sulejman Vokshin ato ishin ngjarje që ia shenjuan jetën, duke e lidhur përfundimisht me çështjen kombëtare dhe me patriotët nga të katër vilajetet. Pas shtypjes së kësaj kryengritjeje, Sulejman Vokshi u arrestua dhe u mbajt në burg e internim në Anadoll. Në vitin 1878, Sulejman Vokshi ishte një prej themeluesve të Lidhjes së Prizrenit. Së bashku me kryesuesin e Këshillit, Ymer Prizrenin, si edhe me kryesuesin e komisionit për Punë të Jashtme, Abdyl Frashërin, ai bënte pjesë në grupin që kërkonte bashkim të vilajeteve, autonomi ose pavarësi, dhe krijim të një ushtrie shqiptare.

Lidhja e Prizrenit vendosi ta ngarkojë Sulejman Vokshin me përgjegjësinë e drejtimit të Komisionit për Financa, me objektiv që të krijonte financat e nevojshme për një ushtri shqiptare. Po atë vit, Sulejman Vokshi bashkë me shumë atdhetarë të tjerë u angazhuan për mbrojtjen me armë të Plavës dhe Gucisë, të cilat Perandoria Osmane kishte pranuar t’ia dorëzonte Malit të Zi.

Në shtator të vitit 1878, otomanët dërguan në Gjakovë Mehmet Ali Pashën, i njohur si Ali Pashë Maxharri, me detyrë që ta dorëzonte Plavën e Gucinë te malazezët, por edhe që ta ndalte veprimtarinë e Lidhjes. Mehmet Ali Pasha gjeti konak në sarajet e Abdullah Pashë Drenit, një tjetër prej themeluesve të Lidhjes, i cili i përkiste grupit të atyre që mendonte se shqiptarët duhet t’i mbeteshin luajalë perandorisë. Sulejman Vokshi bashkë me Ahmet Koronicën e qindra luftëtarë, fillimisht i dhanë ultimatum Mehmet Ali Pashës të tërhiqet, pastaj edhe Abdullah Pashë Drenit që ta dorëzojë. Meqenëse këto nuk ndodhën, nisi beteja e cila sot njihet si Aksioni i Gjakovës, që ishte veprimtaria e parë ushtarake e Lidhjes së Prizrenit. Ky aksion përfundoi me fitoren e vullnetarëve të Lidhjes dhe me vdekjen e Mehmet Ali Pashës dhe Abdullah Pashë Drenit.

Në fund të vitit 1880, Sulejman Vokshi bashkë me Haxhi Zekën organizuan një ushtri të mirëfilltë shqiptare, dhe në janar të vitit 1881 morën Shkupin. Brenda të njëjtit muaj morën Prishtinën e më pas Mitrovicën, duke vendosur nën kontrollin e Lidhjes sanxhaqet e Shkupit dhe të Prishtinës.

Ai u arrestua në vitin 1885, pasi kishte vazhduar për vite me radhë të luftonte për Lidhjen dhe për çështjen kombëtare. U dënua me vdekje, më pas dënimi iu kthye në burgim e punë të detyruar.

Më vonë u amnistua dhe vdiq në moshën 75 vjeçare në Gjakovë, në vitin 1890. Sot ai ka nderimet zyrtare nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, si hero i popullit. Por varri i tij mbetet në gjendje të keqe dhe i lënë në harresë.

Është fatkeqësi se si një figurë e tillë, themelues i idesë së një ushtrie kombëtare shqiptare, sot nuk e ka përkujdesjen e duhur institucionale, edhe pse është në zemrat jo vetëm të gjakovarëve, por të të gjithë shqiptarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme