Albin Kurti flet për herë të parë për Rikalon, tregon se si mund të jenë njohur

12:52 | 19 Shtator 2017
Arbresh.info

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka quajtur absurde pohimet e Qeverisë së Kosovës se ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo, i akuzuar nga qytetarët shqiptarë për tortura dhe maltretime gjatë luftës, nuk ka qenë i përfshirë në ato veprime siç kanë dëshmuar banorët e Lagjes “Dardania”.

Ai përmes një shkrimi në Facebook shkruan se deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj për ministrin e tij Rikalo është paragjykuese dhe e papërshtatshme, pasi që është e parakohshme.

Kurti kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Nenad Rikalo dhe se Prokuroria e Kosovës do të duhej të vepronte menjëherë pas akuzave të banorëve të lagjes “Dardania”.

Ai po ashtu konsideron se përmendja e tij dhe e Shpend Ahmetit në një deklaratë për media të Nenad Rikalos është bërë me qëllim të goditjes së opozitës.

Postimi i plotë:

Të shkarkohet Rikalo

Në javën që shkoi, Ministri i Bujqësisë, z. Nenad Rikalo, është akuzuar me dëshmi publike nga disa banorë të lagjes “Dardania” të Prishtinës se ka ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë.

Posaçërisht është absurde se si kryeministri Haradinaj ka deklaruar se e kanë siguruar Prokuroria e Shtetit, AKI-ja dhe Policia e Kosovës se ministri Rikalo nuk ka qenë i përfshirë në ato veprime siç kanë dëshmuar banorët e Lagjes “Dardania”. Prokuroria e Kosovës do të duhej të vepronte menjëherë, ndërkaq vetëm eventualisht në një proces të ardhshëm gjyqësor mbrojtja e Rikalos do të mund t’i angazhonte si dëshmitarë të mbrojtjes këta zyrtarë shtetërorë të cilët praktikisht po thonë se banorët e Dardanisë po gënjejnë. Deklarata dalzotëse e z.Haradinaj për ministrin e tij Rikalo është: 1) paragjykuese sepse para një gjykimi veçse potencial; dhe 2) e papërshtatshme sepse e parakohshme.

Fillimisht, e pakta që duhej bërë është pezullimi i menjëhershëm i postit të ministrit për z. Nenad Rikalo. Tash, ai duhet shkarkuar. Pasi dëgjuam ato që thanë banorët e lagjes ‘Dardania’ në Prishtinë, çfarëdo mbrojtje e Rikalos, qoftë nga ai vetë qoftë nga shefi i tij, vetëm sa e rriti dyshimin për të. Krimet nuk vjetrohen. Sepse njerëzit nuk harrojnë. Sepse jetët e njerëzve krimi i ka ndryshuar përgjithmonë.

Në anën tjetër, para disa ditëve, ministri Rikalo, ka deklaruar se më njeh mua nga koha e themelimit të KAN-it (KosovActioNetwork). Ndoshta z. Rikalo më njeh, unë nuk e mbaj mend. E shumta, ka mundësi që z. Nenad Rikalo të ketë qenë pjesëmarrës në konferencën “Drejtimet e reja” që është mbajtur në Grand Hotel në Prishtinë nga 8 deri më 13 korrik 2003. Këtu, duhen theksuar dy gjëra.

Së pari, kjo konferencë e ka rivitalizuar KAN-in që është formuar në vitin 1997 nga aktivistë ndërkombëtarë me në krye Alice Mead (tash Alice James) të cilët kanë mbështetur asokohe protestat tona studentore. Në këtë konferencë në korrikun e vitit 2003 kanë marrë pjesë mbi 70 aktivistë e personalitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si Adem Demaçi nga Kosova, Rexhep Mejdani nga Shqipëria, Barend A. J. Cohen nga Holanda, Bernie Sullivan nga Britania e Madhe, Valerie Hughes nga Irlanda, Alberto L’Abate nga Italia, Louis Sell nga ShBA-të, Christine von Kohl nga Austria etj. Në mesin e pjesëmarrësve ishin dhjetëra përfaqësues të OJQ-ve, edhe nga të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë. Ka pasur edhe serbë nga Beogradi si psh. znj. Sonja Biserko. Që të gjithë këta kanë qenë mysafirë në konferencën që rivitalizoi KAN-in e formuar qysh në vitin 1997.

Së dyti, e që është më e rëndësishme, banorët e lagjes “Dardania” tash nuk po e akuzojnë as znj. Sonja Biserko që mori pjesë në konferencën e KAN-it e as z. Nenad Rashiq që ishte ministër dikur në qeverinë e Kosovës. Ata po e akuzojnë ministrin e bujqësisë z. Nenad Rikalo. Askush nuk po i fajëson serbët në përgjithësi, as ndonjë serb të veçantë i cili nuk u kujtohet. Ata po e identifikojnë ministrin aktual me emër e fytyrë si bashkëpunëtor të kriminelëve të tjerë në mynxyrën që u ka ndodhur në vitin 1999 e të cilën po e përshkruajnë në detaje.

Pse ministri Rikalo më përmend mua, por edhe Shpend Ahmetin e Ilir Dedën, në sqarimin e tij publik? Ka dy mundësi, e të cilat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. E para, ai synon ta godasë opozitën duke i bërë argatin qeverisë e sidomos PDK-së, zyrtarë të së cilës nuk çajnë kokën nëse Rikalo ka kryer krime por vetëm se a mund ta dëmtojnë sadopak me ndonjë insinuatë Lëvizjen VETËVENDOSJE! E dyta, ndoshta përgjegjësia e Rikalos për akuzat e banorëve të lagjes “Dardania” mund të jetë dyshim i bazuar, dhe ai nga paniku po imagjinon fije kashte ku do mund të kapej. Secila nga këto mundësi dhe të dyja bashkë, gjithsesi e rrisin dyshimin në ministrin Rikalo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme