Lideri i VV-së, Albin Kurti ka thënë se në raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa rreth Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për AKP-në, Qeveria e Kosovës i fut duart në atë që njihet si Fond i Privatizimit.
Sipas Kurtit, ideja fillestare për keqpërdorimin e mjeteve të AKP-së ka ardhur nga LDK-ja, dhe tash kjo qeveri po përfiton ngaqë e ka lehtë ta detyrojë LDK-në ta mbështesë, raporton Arbresh.info.
Lexoni të plotë statusin e tij në Facebook:
Mbledhja e fundit e Kuvendit të Kosovës ishte të premten e 30 marsit 2018. Aty deputetët intensivisht u morën me dëbimin e gjashtë shtetasve të Turqisë në mënyrë që të mos merreshin me këtë çështje: nuk kaloi votimi për debat. Mirëpo, në po atë mbledhje, kaloi një çështje tjetër e rëndësishme dhe atë pa debat fare. Në lexim të dytë, shpejt e shpejt, duke kapërcyer dy pika paraprake të rendit të ditës, u votua Raporti me rekomandime për Projektiligjin nr.06/L-023, për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (dy herë i plotësuar e ndryshuar më herët).
Me këtë raport të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kjo qeveri i fut duart në atë që njihet si Fond i Privatizimit e i cili është më i trashë se 600 milionë euro nga ato mbi 60 valë të privatizimit përgjithësisht të egër e abuziv. Natyrisht, aty thuhet edhe se mjetet e marra të fondit të përkohshëm do të kthehen kur fondi i mbetur në mirëbesim i Ndërmarrjes Shoqërore përkatëse është i pamjaftueshëm për përmbushjen e kërkesave kreditore në procesin e likuidimit, mirëpo kjo çështje kollaj do të mund të bëhet barrë veçse për qeverinë pasardhëse.
Amandamenti 2, ndryshonin nenin 1, duke lejuar investimet e mjeteve të privatizimit në letrat me vlerë, me qëllim të rregullimit të trajtimit të “fondeve të mbetura”, trajtimit të “fondeve të përkohshme” si të hyra në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës. Në amandametin 4, ndryshohet neni 4, paragrafi 3, duke thënë se “Fondet e Përkohshme, nëse ka të tilla, barten nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës, të cilat fonde të përkohshme përdoren për investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”.
Në shikim të parë, sigurisht që është mirë të aktivizohet Fondi i Privatizimit për “zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit”. Mirëpo, janë tri probleme kapitale këtu:
Nuk do të ishte problematik kthimi i mjeteve të privatizimit në Kosovë, përderisa ato mund të investohen në projekte me normë të kthimit më të lartë se norma e rritjes ekonomike në vend. Kjo nënkupton transferimin e këtyre mjeteve në ndonjë fond investiv që do të shfrytëzonte të njëjtat vetëm për projekte në ato sektore të ekonomisë që shihen si bartës të zhvillimit ekonomik. Por, kjo nuk është ideja prapa kësaj kërkese. Problemi qëndron diku tjetër: Kosova është duke huazuar me ritëm të lartë në tregun e kapitalit për të financuar borxhin publik. Në mungesë të rankimit ndërkombëtar, i vetmi opsion është huamarrja brenda vendit dhe atë nga sistemi bankar, duke shfrytëzuar rezervat shtesë të depozitave. Mirëpo, në mungesë të një tregu sekondar me bono të qeverisë, kjo mundësi e huamarrjes shtjerret shumë shpejt dhe i pamundëson qeverisë të operojë me deficite. Andaj si zgjidhje e ndërmjetme shihet përdorimi i mjeteve të privatizmit. S’do mend që do të përdoret vetëm për projekte në asfalt, me normë kthimi zero, ose normë negative kthimi kur dihet përmasa e korrupsionit në prokurimin publik dhe në menaxhimin e kontratave strategjike.
Ideja fillestare për keqpërdorimin e këtyre mjeteve ka ardhur nga LDK-ja, dhe tash kjo qeveri po përfiton ngaqë e ka lehtë ta detyrojë LDK-në ta mbështesë. Pas votimit të fshehtë për guvernatorin e ri të BQK-së ku hapur u pa se shumica e deputetëve të LDK-së mbështetën kandidatin e PDK-së, Fehmi Mehmeti, ky është rasti i dytë ku LDK dëshmon se mbështet regjimin në fuqi dhe se në opozitë është veçse formalisht. A po mendon LDK-ja se PDK-ja do ta zhvillojë Kosovën, që po ia jep paratë e privatizimit qeverisë së PDK-së? Apo ky ligj është pasojë e marrëveshjeve të PDK-së me opozitën “lojale”, të cilën shpejt mund ta thërrasë në bashkëqeverisje?./Arbresh.info
Hajrullahu: Pa digjitalizim, UP-ja nuk mund të ecë përpara
Kryetarit të Strugës i konfiskohet pasaporta
Florentino Perez ia refuzon kërkesën Kylian Mbappes për ta t...
Aktorët e Teatrit Kombëtar që 40 ditë në grevë
Osmani hap dyert e Presidencës për fëmijët, i quan udhëheqës...
“Shkodra Elektronike” në Podcast me Ramën: Fitor...