Alarmon Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës edhe më dobët vitin e ardhshëm

12:23 | 23 Tetor 2020
V. S.

Në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor bëhet e ditur se pandemia  i ka kufizuar mundësitë për zhvillim ekonomik edhe në Kosovë.

“Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind në vitin 2020; vazhdimi i COVID-19 është duke i ndikuar negativisht eksportet e shërbimeve, konsumin privat dhe investimet. Pa rritjen e remitancave dhe përgjigjen kundërciklike të politikës fiskale, tkurrja do të ishte më ethellë”, thuhet në raport.

Sipas raportit ndikimi pandemisë pritet të shihet edhe në vitin e ardhshëm kjo për shkak se vendit po i rriten shpenzimet ndërsa të hyrat janë zvogëluar, shkruan Gazeta Infokus.

Zvogëlimi i BPV-së ka ndodhur për arsye se të hyrat publike janë zvogëluar për 13 për qind.

“Deficiti i përgjithshëm buxhetor pritet të arrijë në 9.5 për qind të BPV-së, nga 2.9 për qind në vitin 2019, për shkak të rënies prej 13 për qind të të hyrave publike, shpenzimeve më të larta rrjedhëse për reagimin ndaj krizës, dhe tkurrjes domethënëse të BPV-së”, bën të ditur raporti i rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Në vitin 2020 përfitimet sociale pritet të arrijnë në 8 për qind të BPV-së ndërsa transferet do të rriten për 22 për qind.

Ndërsa vonesat në implementim do të bëjnë që investimet publike të ulen për shkak të hapësirës së pamjaftueshme fiskale.

Rimëkëmbja ekonomike varet nga frenimi i pandemisë

Rimëkëmbja  e Ekonomisë në vitin 2021 dhe 2022 do të varet nga frenimi me sukses i pandemisë.

Kështu thuhet në raportin e rregullt ekonomik te Ballkanit Perëndimor.

Përcaktues të rimëkëmbjes sipas raportit janë  kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare por edhe eksporti dhe konsumi.

“Ka edhe potenciale që rritja të jetë edhe më të lartë se parashikimi, varësisht nga: sa efektive do të jetë qeveria në realizimin e plotë të planit për rimëkëmbjen ekonomike; kur dhe sa do jenë investimet nga zbatimi i marrëveshjes së kohëve të fundit për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë” thuhet në raport.

Covid-19, do ulë vende te punës për 6 për qind

Deri në fund të vitit 2020, pritet që vendet e punës të zvogëlohen për 6 për qind.

Kjo për shkak të krizës që ka shkaktuar Covid-19  e cila mund të shkaktojë mbylljen e përhershme të bizneseve.

Sipas raportit të Bankës Botërore  edhe në bizneset me më shumë se 5 të punësuar presin që deri në fund të vitit 2020 shitjet të kontraktohen me 17 për qind.

Situata e krijuar nga pandemia pritet qe te ketë ndikim afatgjatë në aktivitetin ekonomik.

Të ngjashme