Një ish-gjykatës dhe një avokat, të akuzuar për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve, kanë vazhduar mbrojtjen e tyre në heshtje ndaj akuzave me të cilat po i ngarkon Prokuroria.
Ish-gjyqtari Sami Gërdovci dhe avokati Miriman Vehapi nga Prokuroria po akuzohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e kanë shpallur të vdekur Rrahim Bajramin në mënyrë që më pas të përfitonin nga prona e tij.
Gjatë shqyrtimit të sotëm gjyqësor u bë administrimi i provave si dhe kishte qenë e planifikuar që të jepnin mbrojtjen edhe vetë të akuzuarit.
Por kur u thirrën që të jepnin mbrojtjen nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimi, ish-gjyqtari Sami Gërdovci e po ashtu edhe avokati Miriman Vehapi u deklaruan se kishin vendosur që të mbroheshin në heshtje por thanë që i mbështesnin deklaratat e tyre të dhëna më herët.
Madje, i akuzuari Vehapi pasi që nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues se nëse dëshironte që të mbrohej në heshtje vetëm përmes gjesteve arriti që të pohonte se dëshiron që të mbrohet në heshtje.
Kurse mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj pasi që deklaroi se me klientin e tij ishin marrë vesh që i njëjti të mbrohej në heshtje, Gjykatës i dorëzoi edhe një raport mjekësor për të vërtetuar se klienti i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vazhdimisht është në trajtim mjekësor.
Në këtë seancë kishte qenë e planifikuar që të dëgjohej edhe dëshmitarja Sanije Muqolli por pasi që e njëjta kishe pasur probleme shëndetësore e kishte njoftuar Gjykatën që nuk do të mund të ishte e pranishme në shqyrtim gjyqësor.
Me pajtimin e të gjitha palëve në procedurë u vendos që në mungesë të saj të lexohej deklarata e së njëjtës e dhënë në Polici.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 mars.
Sipas Prokurorisë, ish-gjyqtari Sami Gërdovci në mars të vitit 2009, si ekzekutues pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë-Dega në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin Meriman Vehapin, ndërsa shkaktimin e dëmit për personin tjetër Rrahim Bajrami, në cilësi të gjyqtarit ka marrë vendim të kundërligjshëm gjyqësor me të cilin e ka aprovuar propozimin e avokatit Meriman Vehapi dhe Ibrahim Shala si të autorizuar të debitorit Budimir Steviq, dhe e ka abroguar masën e përkohshme të caktuar me aktvendim në bazë të propozimit të kreditorit Rrahim Bajrami.
Sipas aktakuzës ish-gjyqtari duke u bazuar vetëm në kërkesën gojore të avokat Miriman Vehapi me arsyetimin se kreditori Rrahim Bajrami ka vdekur, ka konstatuar se lënda kinse ka përfunduar meqë paditësi, gjegjësisht kreditori Rrahim Bajrami, ka vdekur. Në këtë mënyrë procedura është ndërprerë, me ç’rast i akuzuari Sami Gërdovci pa e vërtetuar me asnjë provë relevante këtë fakt me aktvendimin e muajit mars 2009 e shfuqizon aktvendimin mbi caktimin e masës së përkohshme të muajit qershor 2003, duke marrë si të tillë një vendim të kundërligjshëm gjyqësor.
Me anë të këtyre veprimeve, prokuroria e akuzon ish-gjyqtarin Sami Gërdovci se ka kryer veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.
Kurse për të akuzuarin Miriman Vehapin Prokuroria pretendon se si i autorizuar në cilësi të avokatit për klientin Budimir Steviq në bazë të një autorizimi të vërtetuar nga Gjykata Komunale e Prishtinës-Dega në Graçanicë, ka keqpërdorur autorizimin e tij me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se avokati kishte shkuar në zyrën e gjyqtarit tashmë të akuzuarit Sami Gërdovci duke deklaruar se Rrahim Bajrami ka vdekur, duke keqpërdorur kështu besimin me qëllim të shfuqizimit të masës së përkohshme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete , me çka nga Prokuroria akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i besimit.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprën që u vihet në barrë./kallxo.com
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...
Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident t...