Dy të mbrojturit në liri të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit 2016, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, kanë thënë se nuk janë fajtorë dhe nuk e kanë hedhur granatën që ka dëmtuar murin e jashtëm të Kuvendit.
Ata kanë folur edhe për “historinë” e motoçikletës që është marrë si dëshmi gjatë gjykimit kundër katër aktivistëve të VV-së.
Haliti dhe Arifi kanë folur edhe për ditët e qëndrimit në burg, të cilat i kanë cilësuar si të pakëndshme. Ata në vazhdim kanë pasur vërejtje të mëdha në gjykatësin Beqir Kalludra, për të cilin kanë thënë se i ka “lodhur” me pyetjet ku jeni patriotë, etje.
Në vazhdim mysafirët kanë përmendur edhe ndarjet aktuale të Vetëvendosjes, ndërsa e kanë pyetur haptas Dardan Molliqajn se përse doli jashtë sallës së parlamentit kur po votohej rezoluta kundër ndjekjes politike të aktivistëve të VV-së.
“Ne akuzohemi për sulm të objektit të Kuvendit me raketahedhës. Edhe më herët i kemi dërguar alibitë tona të cilat janë përputh me prova e policisë. Nuk ka pasur dëshmitar. Si Egzon Metolli, si shitësi i motorit, Kanë deklaruar se këta nuk janë ata që i kemi parë”, ka thënë Haliti.
“Akuzë më të rëndë nuk ka”, ka thënë ai kur ka folur për cilësimin si terroristë. “Na bën të ndihemi keq, e kemi presionin edhe kur dalim në publik. Është ndjenjë e keqe në një shtet që kemi ëndërruar se do të jetë i lirë, se do të ketë drejtësi, por nuk doli ashtu. Kjo na bindi se jemi larg shtetit”, ka shtuar ai.
Atdhe Arifi shpreson që në Gjykatën Themelore për rigjykimin e tyre të ketë përbërje të re gjykatësish.
“Kemi pritur lirimin e plotë, vendosëm për rigjykim, besoj tash me gjyqtarë tjerë sepse nuk pranojmë të gjykohemi nga Beqir Kalludra. Një gjë nuk e dimë ku është i kapur Kalludra. Shpresojmë që në Themelore të mos ketë shumë Kalludra. Të kërkohet drejtësia për aktivistët, na dënuan për të shmangur vëmendjen nga rasti i vdekjes së Deharit”, ka thënë ai.
Të pyetur se si i kanë kaluar ditët me Frashër Krasniqin nga krahu i Molliqajt, dy anëtarët e krahut tjetër të VV-së, kanë thënë se do të qëndrojnë të bashkuar në këtë proces gjyqësor, sipas tyre, të montuar.
“Ne kemi qenë bashkë me një dhomë me Frashër Krasniqin, raportet i kemi korrekt, ashtu siç duhet t’i kemi, qëndrimet i kemi ashtu siç besojmë. Nuk ka ndikuar që ne të hidhërohemi. E kemi një të kaluar të gjatë bashkë dhe jemi në një proces të padrejtë bashkë dhe do të qëndrojmë bashkë deri në fund”, ka thënë Haliti.
“Deshëm, s’deshëm, duhet të qëndrojmë bashkë kundër këtij procesi të montuar”, ka thënë veç të tjerash ai./Koha.net/
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...