Aktgjykimi ndaj Enver Hasanit, më 18 tetor

11:40 | 13 Tetor 2017
Arbresh.info

Shpallja e aktgjykimit në rastin kundër ish-rektorit të UP-së, Enver Hasani dhe dy të akuzuarve të tjerë në lidhje me një kontratë të nënshkruar në kohën sa ishte rektor në Universitetin e Prishtinës, do të bëhet më 18 tetor në ora 13:00.

Kështu bëri të ditur kryetari i Trupit Gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Arben Hoti , pas përfundimit të fjalëve përfundimtare të palëve.

Mbrojtësi i Enver Hasanit, avokati Bajram Tmava gjatë fjalës së tij përfundimtare në seancën e sotme gjyqësore tha se prapa kësaj çështjeje qëndrojnë njerëz të caktuar.

Tmava tha se nëse gjykata vërteton se Hasani ka kryer veprat për të cilat akuzohet, atëherë le të marr dënimin e merituar.

Por, sipas tij në asnjë nga veprat për të cilat akuzohet, Hasani nuk ka gisht, raporton arbresh.info.

Ndërkaq, Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari kërkoi nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës të shpall fajtor dhe të dënoj ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, si dhe dy të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Albert Rakipi dhe Haki Veliu.

Gjatë fjalës së saj përfundimtare prokurorja Hajdari tha se në bazë të provave që ka mbledhur, Prokuroria ka arritur të dëshmoj se tre të akuzuarit me dashje kanë ndryshuar kontratën me qëllim të përfitimit, duke shkruar në vend të njësisë matëse njësinë e karaktereve.

Hasani dhe dy të tjerët akuzohen se si persona zyrtarë kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008, raporton arbresh.info.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008, shkruan arbresh.info.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Të pandehurit akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake, kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Sipas aktakuzës  ky ndryshim i  çmimit ka mundësuar përfitim më të madh  në favor të  Institutit për Studime Ndërkombëtare./arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme