Google ADS

Aktakuzat e para të Speciales, para vjeshtës së 2018

20:45 | 25 Shtator 2017
Arbresh.info

Aktakuzat e para të Speciales nuk pritet të ngriten para vjeshtës së vitit të ardhshëm.

Këtë e ka thënë për Klan Kosovën një burim i njoftuar mirë me zhvillimet në Hagë, ku është selia e gjykatës në fjalë, e cila ndryshe njihet si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Më herët është thënë se aktakuzat e para do të bëheshin publike në janar të vitit 2018.

Burimi në fjalë ka thënë se kjo mund ta hidhërojë Serbinë, e cila, sipas tij, ka dërguar në kryeqytetin holandez më tepër se 80 mijë faqe dosje.

Këtu përfshihen materiale me të cilat Beogradi pretendon të vërtetojë pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera në Kosovë, gjatë luftës.

Ky fakt, sipas zyrtarit në fjalë, ka bërë që Gjykata speciale të shihet si një institucion që “vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por kryesisht me dosje të Serbisë dhe prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs janё formuar nё bazё tё Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit tё miratuar nga Kuvendi i Kosovёs pёr gjykimin e pretendimeve të paraqitura nё raportin e Kёshillit tё Evropёs tё vitit 2011, pёr shkelje tё rёnda tё sё drejtёs ndёrkombёtare. Ato janё tё pёrkohshme dhe me mandat e juridiksion tё përcaktuar, konkretisht për krime kundёr njerёzimit, krime lufte dhe krime tё tjera, tё cilat pretendohet se janё kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme