Google ADS

Aktakuza ofron detaje nga plani i pretenduar për vrasje në Prishtinë

20:44 | 3 Tetor 2018
Arbresh.info

Aktakuza e Prokurorisë së Prishtinës ofron detaje rreth një përleshjeje që kishte ndodhur në vitin 2009 në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, incident në të cilin kishte mbetur i plagosur një prej të akuzuarve.

Në këtë rast, të akuzuar janë Bajram Gashi, të cilit i vihen në barrë veprat penale të vrasjes në tentativë si dhe armëmbajtjes pa leje, kurse Idriz e Nexhat Gashi si dhe Fadil Berisha akuzohen se kanë kryer veprën penale ndihmë në veprën penale vrasje në tentativë.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin përgatitur një plan për ta privuar nga jeta të dëmtuarin Albert Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se derisa ka qenë duke hipur në veturën e tij i dëmtuari Albert Krasniqi, të akuzuarit Bajram, Idriz e Nexhat Gashi sipas marrëveshjes paraprake ndërmjet vete, ku kishin ftuar edhe të akuzuarin Fadil Gashi më parë me telefon, me qëllim që ta privojnë nga jeta për shkak se disa javë më parë i akuzuari Bajram kishte pasur një konflikt me të dëmtuarin Albert, të gjithë të pajisur me shkopinj druri, mjete të përshtatshme për ta lënduar shëndetin dhe trupin, përleshen ndërmjet veti duke gjuajtur me mjete që i kishin me vete.

Ndërsa, i akuzuari Bajram me armën e tipit M 57 me kalibër 7.62 të cilën e mbante pa autorizim ia ka ofruar duke iu drejtuar me fjalët: “Ku je bre qen ti?!” dhe me qytë të revoles e godet në gjoks të dëmtuarin Albert gjersa njëri prej bashkëpjesëmarrësve e ka goditur me shkop të fortë pas koke, gjersa të tjerët e godasin me shkopinj druri nëpër trup duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në pjesë të ndryshme të trupit.

Aktakuza thotë se nga të shkrepurat e armës nga i akuzuari Bajram është plagosur rastësisht i akuzuari Fadil Berisha, i cili ishte së bashku me ta.

E seanca gjyqësore për këtë rast, e paraparë të mbahej sot, nuk u mbajt për shkak se prokurori dhe asnjë nga të akuzuarit nuk u paraqitën në Gjykatë.

Me rastin e konstatimit të palëve të pranishme në sallë të Gjykatës, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli deklaroi se nuk ishin të pranishëm as prokurori e asnjëri nga të akuzuarit, prandaj në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës gjyqësore ai seancën e shtyu për një datë tjetër.

“Mungon prokurori i shtetit dhe mungojnë të gjithë të akuzuarit. Nuk ka kushte të mëtejshme për vazhdimin e kësaj seance. Ndërpritet seanca dhe e njëjta caktohet për datën 12 nëntor“, deklaroi gjyqtari Ismajli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme