Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të mërkurën (11 shtator) ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kush janë të akuzuarit që ngarkohen bashkë me kreun e grupit kriminal Milan Radoiçiq?
Dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.
Sipas këtij dispozitivi, më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.
Tutje, sipas aktakuzës të njëjtit janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda.
Me ç’rast, sipas aktakuzës, tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti, e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, sulmi ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.
Prandaj, për këto veprime të njëjtit po ngarkohen me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” e sanksionuar me nenin 129, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 128, paragrafi 1, pika 1.1, 1.3, 1.7 dhe 1.10 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës”
Në këtë dispozitiv, të gjithë të akuzuarit e lartpërmendur akuzohen se në kohë, vend dhe mënyrë sipas dispozitivit të parë, ku Milan Radoiçiq në cilësi të kreut të grupit të strukturuar me gjithë të akuzuarit tjerë, kishin vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht.
Aktakuza thotë se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe.
Në aktakuzë thuhet se këtë pjesë të territorit të njëjtit kanë tentuar t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile
Prandaj për këto veprime, të njëjti po ngarkohen me veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” e sanksionuar me nenin 126, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të Kodit Penal.
Për çka akuzohet Milan Radoiçiqi?
Dispozitivi i tretë dhe i katërt i aktakuzës ngarkon vetëm të akuzuarin Milan Radoiçiq. Ai ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë.
Sipas aktakuzës, pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurim i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi i pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimin e pjesëmarrësve të grupit terrorist. Krejt kjo për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste.
Prandaj, për këto veprime Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, e sanksionuar me nenin 131 të Kodit Penal lidhur me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Kurse në dispozitivin e katërt, Radoiçiq nga data 1 janar 2017 e deri më 24 shtator 2023, duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radule Steviq – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Steviq, B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Prandaj për këto veprime, Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Dispozitivi i pestë akuzon personin juridik “RAD D.O.O.” për shpëlarje parash
Në këtë dispozitiv ngarkohet personi juridik “RAD D.O.O.”`me pronar të akuzuarin Radule Steviq se nga 1 janari 2017 e deri më 24 shtator 2023 duke e ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga aktiviteti kriminal, përmes ushtrimit të aktivitetit ekonomik, ka bashkëpunuar dhe e ka ndihmuar atë për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Prandaj për këto veprime, personi juridik “RAD D.O.O.” po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 lidhur me nënparagrafin 1.1 të Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Për çka akuzohet Radule Steviq, personi përgjegjës i “RAD D.O.O.”?
Dispozitivi i fundit i aktakuzës ngarkon pronarin e personit juridik “RAD D.O.O.”, Radule Steviq, se duke ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga aktiviteti kriminal, i njëjti përmes bizneseve të regjistruara në emër të tij dhe aktivitetit ekonomik të tyre, ka bashkëpunuar dhe ndihmuar të pandehurin Milan Radoiçiq, për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
Prandaj për këto veprime, Steviq po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafin 1, nënparagrafi 1.6 lidhur me nënparagrafin 1.1 të Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Deri tani, në paraburgim për rasin e Banjskës janë Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. E vetë Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...