Google ADS

Aksioni i ‘Shpërndarësi’ prangos katër persona, konfiskohen heroinë dhe kokainë

15:50 | 19 Maj 2023
L G

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion kundër drogës në rajonin e Gjilanit.

Në aksionin “Shpërndarësi” Policia e Kosovës ka prangosur katër persona të dyshuar dhe ka konfiskuar 1 kilogramë e gjysmë heroinë si dhe mbi 50 gramë kokainë.

“Departamenti i Hetimeve të Policisë së Kosovës vazhdon operacionet kundër drogës, ‘Shpërndarësi’ arreston katër të dyshuar dhe konfiskohen 1,549.2 gramë heroinë si dhe 54.7 gramë kokainë. Me datën 19.05.2023, hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN-së)-Njësia Gjilan, pas një pune të gjatë hetimore, kanë zhvilluar një operacion të gjerë në qytetin e Gjilanit, të koduar ‘Shpërndarësi’, me qëllim ndalimin dhe kapjen e personave të dyshuar për trafikim me narkotik. DHTN në Gjilan, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Prokurorinë dhe Gjykatën ka zhvilluar operacionin policor në katër lokacione të ndryshme ndaj katër personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë, raporton Arbresh.info.

Sipas policisë, vlera e heroinës dyshohet të jetë rreth 34.400 euro, ndërsa vlera e kokainës dyshohet të jetë rreth 5400 euro.

“Gjatë kontrollit te katër të dyshuarit (V.S., L.N., L.M., A.A.), janë gjetur dhe është konfiskuar në cilësi të provave materiale: Substancë, dyshohet të jetë heroinë me peshë 1,549.2 gramë me vlerë rreth 34.400 euro, substancë, dyshohet të jetë kokainë me peshë 54.7 gramë në vlerë rreth 5400 euro, para të gatshme të konfiskuara 2.010 euro, Armë e shkurtër dhe 1 karikator me 15 fishekë, tri peshore elektronike, një telefon mobil, një veturë me targa vendore.

Të gjithë të dyshuarit e përfshirë, sipas policisë, janë recidivist të veprave të tilla, ku edhe më herët nga DHTN-Gjilan kanë qenë të arrestuar për vepra penale të narkotikëve.

Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit katër të dyshuarit e lart-cekur ndalohen për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës./Arbresh.info/

Të ngjashme