Aksioni i policisë në Leposaviq, Sveçla: Tentativa e Serbisë për destabilizim të vendit po parandalohet dhe luftohet

09:24 | 1 Qershor 2024
K.B

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksioni të zhvilluar të premten nga Policia e Kosovës në Leposaviq.

Sveçla tha se mekanizimi terrorist i Serbisë në veri të Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë, teksa shtoi se aksioni në fshatin Isev i Poshtëm u krye pas marrjes së informatave inteligjente.

“Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë. Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”, ka shkruar ministri në Facebook.

Ai tha se është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë.

“Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, ka përfunduar shkrimin Sveçla./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

Konfiskohen dhjetëra uniforma të policisë serbe në Leposaviq

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme