Google ADS

AKR-ja në Viti zgjedh kryetarin e degës

18:27 | 19 Shkurt 2017
M. A.

Aleanca Kosova e Re sot ka mbajtur kuvendin zgjedhor të degës në Viti, ku në prani të 270 delegatëve, Kryetar i degës me shumicë votash u zgjodh Besim Ymeri.

Kuvendin fillimisht e hapi koordinatori i degës Betim Shaqiri, i cili prezantoi punën e degës dhe procesin e themelimit të mbi 16 nëndegëve, Forumit Rinor dhe të Gruas.

Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet duke zgjedhur edhe Kryesinë 10 anëtarëshe dhe strukturat tjera udhëheqëse të degës, me nënkryetarët; Betim Shaqiri, Vjollca Sylejmani e Hajrush Hajdari si dhe sekretarin Njazi Ahmeti.

Kryetari i sapo zgjedhur, Besim Ymeri, duke i falënderuar delegatët për përkrahjen, ka premtuar se me qeverisjen e AKR-së në Viti, prioritet do të jetë zhvillimi i bujqësisë dhe nxitja e investimeve të huaja, meqë Vitia posedon kapacitete të mjaftueshme për kultivime bujqësore.

Kuvendin në emër të Presidentit Behgjet Pacolli, e përshëndeti edhe koordinatori i zgjedhjeve në AKR Vesel Makolli, i cili kishte ardhur t’i ndjek punimet e Kuvendit të Vitisë, bashkë me Kryetarët e Forumeve, si dhe përfaqësues të tjerë të AKR-së nga qendra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme