AKK: Ministria e Financave po e zvarrit pa arsye bartjen e mjeteve vetanake

19:27 | 16 Korrik 2024
R J

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka ërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që sa më shpejt të bëjë bartjen e mjeteve financiare të komunave nga rritja e të hyrave vetanake nga viti 2023.

Asociacioni përmes një reagimi ka thënë se këto mjete janë të komunave dhe duket shumë absurd që të bllokohen nga niveli qendror.

“Kemi të bëjmë më mos bartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro. Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye”, thuhet në reagim.

Sipas Asociacionit, MFPT e ka obligim ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave.

“Duke marrë parasysh që këto mjete nga rritja e të hyrave vetanake të komunave për vitin 2023 janë të destinuara për projekte kapitale, me këtë veprim niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar. Pra, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror”, thuhet në reagim.

Bordi i kësaj organizate thekson se komunat janë në pritje të bartjes së të hyrave nga rritja e realizuar nga vete komunat.

“I bëjmë ftesë publike Ministrit të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore per realizimin e të drejtës së Komunave në të kundërtën po neglizhohet në dëm të Komunave e rrjedhimisht në dëm të mosrealizimit të projekteve kapitale në interes të qytetarëve”, thuhet në reagim./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme