Duke filluar nga sot drejtuesit e RTK-së do të nisin zhvillimin e debateve në qendrat kryesore të vendit për raportin vjetor të punës.
Për dallim nga vitet e kaluara, sivjet debati publik do të zhvillohet me një format të ri, ku debati do të organizohet përmes radiove lokale në shtatë qendrat e mëdha të vendit.
Lidhur me këtë format, në emisionin “Mirëmengjesi Kosovë” ka folur drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
“Në Ligjin për RTK-në përcaktohet qartë që ne duhet të kemi debat me publikun. Tash nuk dua të fajësoj të kaluarit që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por në të kaluarën, zakonisht, RTK i ka ftuar njerëzit të vijnë në objektin ku jemi ne dhe të zhvillojnë debat. E zakonisht interesimi ka qenë i vogël dhe njerëzit nuk kanë mundur ta lexojnë paraprakisht raportin e punës. Nga ky vit fillojmë me formatin e ri të debateve publike, ku ne duam vërtet të kemi debat dhe jo vetëm të ftojmë 3-4 njerëz dhe me aq ta përfundojmë”, ka theksuar Ahmetxhekaj.
Ai ka thënë se ky format parasheh që të shkohet në shtatë qendrat kryesore të Kosovës dhe të dëgjohet zëri i publikut për RTK-në.
“Sot fillojmë me Mitrovicën, pastaj do të vazhdojmë me Gjakovën, Prizrenin, Ferizajn, Gjilanin, Pejën dhe Prishtinën, derisa e kemi menduar të jemi me debat edhe në një radio lokale serbe. Po shpresojmë që të jemi në veri të Kosovës, meqenëse e kemi filluar edhe atje transmetimin e RTK 1 dhe RTK 2 në platformat kabllovike në atë pjesë të Kosovës”, ka shtuar drejtori i përgjithshëm i RTK-së.
Sipas tij debati do të bëhet përmes radiove lokale, ku do të ketë lidhje të hapura për pyetje dhe kritika. “Ideja jonë ka qenë që debatin publik të mos e bëjmë përmes platformave tona, sepse kur e bën përmes plartformës tënde zakonisht mund të ketë dilema e dyshime a po i pranon pyetjet dhe kritikat që vijnë direkt nga publiku apo thjesht po i zgjedh ato që janë në favor tëndin. Për neve është me interes të dëgjojmë çfarë mendon publiku për RTK-në. Ne, e dimë se pavarësisht se e kemi vullnetin dhe i kemi nisur disa reforma, ende nuk kemi arritur në fazën ku duam, andaj në këtë rrugëtim të gjatë, të vështirë e sfidues duam që të kemi edhe mendimin e publikut. Sepse ndoshta duke qenë vetëm këtu, ne, dëgjojmë njëri-tjetrit, mund të kemi probleme të brendshme, mund të kemi kritika për menaxhmentin e të tjerët, por mendoj se mbi të gjitha ne duhet t’i shërbejmë misionit tonë. E misioni ynë është që të argëtojmë dhe informojmë publikun, nëse këto dyja nuk po i arrijmë atëherë është mirë të dëgjojmë se cilat janë kërkesat e publikut”, ka nënvizuar Ahmetxhekaj.
Ai ka thënë se reforma e re organizative dhe strukturore që do të nisë së shpejti vjen me moton: “Më shumë prodhim e më pak burokraci”. Ahmetxhekaj tha se shpresojnë që këtë muaj të marrim përgjigje pozitive sa i përket rishikimit të buxhetit dhe pastaj sipas tij do të jetë më e lehtë për të pasur më shumë prodhim dhe më shumë investime në RTK.
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Ankandi i pesëmbëdhjetë për vitin 2024 do të mbahet më 3 dhj...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe
Shifrat e INSTAT: Mbi 761 mijë turistë të huaj në tetor