Ahmetit i vihen afate: Përcaktohu se me cilin krah do të shkosh

14:08 | 4 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, po vazhdon të mos tregojë guxim dhe të përcaktohet nëse do të qëndrojë në Vetëvendosje, apo do t’i bashkohet krahut që tashmë po bëhet gati të formojë gurp të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e më pas edhe një subjekt të ri politik.

Prej se kanë filluar të dalin në publik përçarjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti në ato pak raste që është deklaruar për këtë çështje, edhe pse i rezervuar dhe i papërcaktuar qartë, ka lënë të nënkuptohet se më shumë ndihet i përfaqësuar me grupin që janë pozicionuar kundër liderit të kësaj partie Albin Kurti.

Tani kur krahu i përbërë prej më shumë se 10 deputetë dhe një kryetar komune ka vendosur që të braktisë përfundimisht Vetëvendosjen, dhe të organizohet ndaras politikisht, siç mëson Gazeta Metro, i ka vënë afate Shpend Ahmetit, që të përcaktohet sa më shpejt, nëse është i gatshëm të u bashkangjitet apo jo, ngase nuk do ta presin edhe gjatë.

Mos guximi i Ahmetit për t’u përcaktuar ka bërë që krahu i ish-kryetarit dhe ish-sekretarit të VV’së të vonohen në organizimin e tyre të ri politik, jashtë subjektit ku kanë vepruar prej vitesh.
Gazeta Metro mëson se Ahmetit i është thënë që nëse nuk vendos gjatë kësaj jave, apo më së largu në fillim të javës së ardhshme se kah do të shkojë, krahu i Ymerit, Molliqajt dhe të tjerëve, do të fillojnë organizimin e tyre të ri politik, dhe kryetarin e Prishtinës nëse më vonë do t’i mbushej mendja që t’i bashkohej këtij grupimi, nuk do të ishte e lehtë t’i gjendej pozicion në parti, sikurse po ta bënte këtë në fazën e tashme kur të gjithë do të pozicionoheshin si grup.

Nëse Ahmeti i bashkohet këtij krahu, thuhet se atëherë atij do t’i jepet një rol udhëheqës në këtë grupim politik, me shumë gjasë pozicioni i kandidimit për poste udhëheqëse ekzekutive, si ai i kryeministrit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme