Ahmeti: S’ka diskutime për Qeveri pa zgjedhje, kemi vija të kuqe ndaj PDK’së

17:10 | 24 Korrik 2019
L G

Reagimi i zbehtë i ambasadave e heshtja e Presidentit Hashim Thaçi, po komentohet si skenar për t’i ikur zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Përderisa partitë po deklarohen se janë të gatshme për t’i hyrë këtij procesi, PSD u akuzua se do të bashkohet së bashku me PDK-në në qeverinë e ri konstruktuar.

Madje, dje u tha se pati një takim në mes të krerëve të këtyre dy partive. Këtë po e mohon në një bisedë për Gazetën Express, i pari i PSD-së, Shpend Ahmeti. Ai po deklaron se partia në të cilën udhëheq ka vija të kuqe vetëm për partinë e udhëhequr nga Kadri Veseli.

Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, nuk doli fort mirë në sondazhet e fundit. Duke ditë se disa herë i dolën në krah pozitës për tema të ndryshme, PSD u pa edhe si partia që do të ndihmonte në krijim të një qeverie teknike, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Dje ndërkaq u fol edhe për një takim që Ahmeti pati me të parin e PDK-së, Kadri Veselin, Memli Krasniqin e Hajredin Kuçin në njërën prej kafeneve të Prishtinës.

Por, se çka ndodhi e a u panë mes vete, po e mohon Shpend Ahmeti në një bisedë për Gazetën Express. Ahmeti po thotë se një takim i tillë nuk ka ndodhur.

Nga PDK megjithatë po thonë diçka tjetër. Pa pohuar se ka pasur një takim, Memli Krasniqi, shef i deputetëve të partisë po thotë për Express se ishin në drekë me kolegë tjerë, e se restorantet janë vende publike.

“Absolutisht jo. Ne kemi qenë në drekë me disa kolegë të tjerë dhe s’kemi pas kurrfarë takimi me askënd. Restorantet janë vende publike. Aty ka pas edhe shumë njerëz të tjerë”, ka thënë Krasniqi.

I pari i PSD-së, Shpend Ahmeti i pyetur për koalicionet apo qeverinë teknikë, po thotë se partia e tij është duke pritur zgjedhjet.

“Nuk jemi duke diskutuar me dikë për koalicione. Presim që të shpallen zgjedhjet”, thotë Ahmeti.

Tutje, ai po shton se nuk do të kenë diskutime të tillë për qeveri, pa u treguar dita e zgjedhjeve. Sa i përket reagimit të ambasadave pas dorëheqjes së Haradinaj, Ahmeti thotë se nuk ka kurrfarë presioni drejtuar partive.

“Nuk ka diskutime të tilla për ndonjë qeveri pa zgjedhje. As nuk ka kurrfarë presioni apo ndikimi ndërkombëtar. Si PSD ne kemi filluar përgatitjet për zgjedhje dhe presim konsultimet për date”, thotë ai.

I pyetur se a ka vija të kuqe, PSD për ndonjë parti, Ahmeti po thotë se ajo parti është PDK-ja.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve fillojmë konsultimet dhe diskutimet. Njëherë për njëherë jemi duke diskutuar si parti pa marrë parasysh diskutimeve me partitë tjera”, thotë tutje.

Shpend Ahmeti që për pak kohë mbajti edhe pozitën e krye negociatorit në ekipin e dialogut, thotë për Express se Qeveria e ardhshme do të ketë dialogun një prej sfidave kryesore.

“Për Qeverinë e ardhshme sigurisht se dialogu do të jetë një prej sfidave kryesore”, ka përfunduar Ahmeti.

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi që ky i fundit u ftua për intervistimë si i dyshuar nga Gjykata Speciale, po pritet që presidenti i Kosovës të vendosë nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, apo të diskutohet për një qeveri të rikonstruktuar.

Express ka disa ditë që ka provuar të marrë një përgjigje nga presidenca sa i përket datës së zgjedhjeve, por, që këta të fundit nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme