Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti priti në takim raportuesen për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, e cila po qëndron në Kosovë, në një vizitë fakt-mbledhëse, në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjatë këtij takimi, Ahmeti njoftoi Bakoyannis me përparimet e Republikës së Kosovës në të drejtat e njeriut, demokraci dhe sundim të ligjit, çështje të cilat janë shtylla bazë të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës, shkruan Arbresh.info.
Ai theksoi faktin që në vitet e fundit Kosova ka shënuar progres të dukshëm në të drejtat politike dhe civile të qytetarëve të saj e po ashtu në reformat e sistemit të drejtësisë, në koordinim të ngushtë më Komisionin e Venedikut.
“Këto zhvillime kanë bërë që organizatat e pavarura ndërkombëtare të rendisin Republikën e Kosovës si vendin më demokratik në rajon dhe të parin për reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Gjithashtu, në takim u diskutua mbi kornizën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës, e cila është shembull për sa i përket të drejtave të komuniteteve pakicë.
Po ashtu u diskutua mbi themelimin e Grupit Ndërinstitucional për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbi punën e tij te deritanishme në analizimin dhe përpjekjet për adresimin e rekomandimeve të dala nga raportet e Këshillit të Evropës drejtuar institucioneve të Kosovës.
Ai e falënderoi raportuesen Bakoyannis për vizitën e saj dhe u shpreh i kënaqur me ritmin e progresit të procesit të anëtarësimit përbrenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai bëri thirrje që ky ritëm të vazhdojë, në mënyrë që Republika e Kosovës t’i bashkohet sa më parë Këshillit të Evropës dhe që qytetarët e saj të përfitojnë nga mekanizmat e kësaj organizate, me theks të veçantë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Vizita fakt-mbledhëse e znj. Bakoyannis, si raportuese kryesore për përgatitjen e Opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, shënon një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, kjo po ashtu i paraprinë vizitës së raportueseve nga dy Komitetet tjera përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Azadeh Rojhan dhe Béatrice Fresko-Rolfo, të cilat do të qëndrojnë në Kosovë në fillim të muajit dhjetor.
Ministria bën të ditur, pas votimit të raportit të Bakoyannis në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare vendosin për ta ftuar Republikën e Kosovës si anëtare të plotë në Këshillin e Evropës./Arbresh.info/
Përmbytjet në Indonezi, të paktën 19 viktima
Aksident me vdekje në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”
Vazhdon procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?