Ahmeti: Përveç Gazmend Muhaxherit dhe meje, ka edhe shumë kandidatë të tjerë për kryetar të LDK-së

16:25 | 13 Prill 2018
Arbresh.info

Seria e debateve të organizuara nga Kolegji AAB për qeverisjen lokale në Kosovë, ka vazhduar sot me kryetarin e Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët dhe stafin akademik te Kolegjit AAB, z. Ahmeti, prezantoi arritjet dhe përpjekjet e tyre për të realizuar planin qeverisës në komunën e Lipjanit.

Ai theksoi se për një kryetar komune, sfida kryesore është planifikimi buxhetor me qëllim të zhvillimit të komunës, duke theksuar se në qeverisjen e tij në Komunën e Lipjanit, prioritet kryesor është zhvillimi i arsimit dhe shëndetësisë. I pyetur nga studentët për të marrur titullin e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai nuk hezitoi dhe u përgjigj se LDK ka kandidatë potencialë të mjaftueshëm.

“Ka një lloj teorie që po zhvillohet kohëve të fundit që kinse nuk ka kandidatë, dhe përgjigja është edhe e imja edhe e Gazmendit se LDK-ja ka kandidatë sa të duash, është edhe Gazmendi, edhe ai tjetri, edhe ai tjetri, ka sa të duash”, tha kryetari Ahmeti.

Kryetari Ahmeti ka folur edhe për zhvillimet aktuale, duke u shprehur se vendi këtë vit do të ketë zgjedhje:

“Po ballafaqohemi me shumë probleme, me një situatë jo të lehtë edhe politike për shkak të një agjende që po e shohim çdo ditë, për shkak të skandaleve, veprimet duken tepër populliste, shumë pak të mbështetura mbi baza ligjore. Merren vendime, tërhiqen vendime, veprime të ndryshme të cilat i bëjnë dëm shoqërisë dhe këtij shteti, megjithatë unë mendoj se zgjedhjet do të jenë një mundësi e mirë e një rikonfigurimi të ri politik në Kosovë që do të merrte përgjegjësi për të zhvilluar më tutje agjendat shtetërore”, tha Ahmeti.

I pari i Lipjanit përmendi edhe taksat, ku tha se komuna e Lipjanit është një ndër komunat e pakta në Kosovë që ka hequr taksat komunale për bizneset.

“Ne nuk i marrim asnjë lloj takse komunale asnjë biznesi në territorin e komunës së Lipjanit, përveç taksës së tatimit në pronë që është taksë e nivelit shtetëror, por që inkasohet nga nivelet komunale dhe hyn si mjet burimor nga të hyrat vetanake të komunave”, theksoi Ahmeti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme