Ahmeti përmbylli vizitën zyrtare në Arabinë Saudite

17:07 | 10 Janar 2024
E.H

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u prit në takim nga ministri i Transportit dhe Logjistikës, Saleh bin Nasser bin Alali Aljasser.

“Në takim u bisedua për raportet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit. Palët u pajtuan që të fillojnë procedurat për lidhjen e marrëveshjes në fushën e aviacionit civil, e cila do të lehtësonte udhëtimet e qytetarëve mes Prishtinës dhe qyteteve të ndryshme të Arabisë Saudite”, thuhet në komunikatën për media nga MPJD, transmeton Arbresh.info

Po ashtu, Ahmeti, u takua me kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë – Arabi Saudite, Khaled Mohammed Albawardi.

Në takim u bisedua për zhvillimet ekonomike e të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe për rritjen e bashkëpunimit parlamentar mes të dyja vendeve. Grupi i Miqësisë e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë.

Në takimin e radhës, zëvendësministri  u prit nga zëvendësministri për Punë të Jashtme të Jemenit, nga i cili u informua në detaje mbi kontekstin historik dhe zhvillimet e fundit në Jemen. Të dy zëvendësministrat shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

Ndërsa, në takim me drejtorin e Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan Abdulrahman Al-Marshad, u diskutua mbi projektet aktuale infrastrukturore rrugore, projektet e ardhshme të infrastrukturës sportive dhe investimet në energjinë e ripërtëritshme.

Në takim kishte dakordim për vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit aktual./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme