Google ADS

Ahmeti për mosekzekutimin e pagave: Joligjore, mësuesit paguhen nga komunat

12:50 | 2 Shtator 2022
K.B

Ish kryetari i Komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti ka thënë se mësimdhënësit janë punëtorë të komunave dhe janë në listat e pagave të komunave duke u paguar nga buxhetet e komunave.

Ahmeti këtë e ka thënë përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ku ka shkruar se çdo komunë deri më datën 10 përgatit listën e pagave për muajin e ardhshëm dhe pagat siç u shpreh ai ekzekutohen nga Ministria e Financave.

Ai tha se më datën 10 (duke iu referuar muajit gusht) punëtorët s’kanë qenë në grevë.

“Qeveria ju ka dërgu komunave kërkesën për listën e punëtorëve grevistë të cilën nuk kam informatë se e ka dërguar dikush. Ministria e Financave ka bllokuar ekzekutimin e pagave për organizatat buxhetore që nuk i kanë dërgu. Prandaj pagat nuk i kanë marr as mjekët e shëndetësisë primare e as shërbyesit civil nëpër komuna”, ka shkruar Ahmeti.

Ai paraqiti edhe disa pika duke thënë se Ministria nuk mund të vendos se cili punëtor ka shkuar në punë e cili jo, për t’ia ndërprerë pagen, pasi siç u shpreh ai kjo është kompetencë e komunave.

“Bllokimi i pagave nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e komunave, sepse gjasa teorike nuk ka qeveria me dit kush ka shku në punë e kush jo, sepse shkollat i raportojnë Komunës. Komuna si epror vendos se kënd me e penalizu e kënd jo. Ministria nuk mund të jetë mbi komunën. Kjo është e garantuar edhe me kushtetutë edhe me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. Ndalesa e pagave për punëtorët që nuk janë në grevë është edhe shkelje e rëndë ligjore”, ka shkruar ndër të tjera Ahmeti.

Tutje ai shton se është e pakuptueshme pse palët mos të ulen në tavolinë për të diskutuar edhe në qoftë se nuk pajtohen, pasi siç tha ai “Me u taku me Serbinë po, e ndërmjet veti jo është absurd”. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme