Ahmeti: Nëse zgjat mbyllja deri me 18 prill, edhe unë po shkoj në Shqipëri

00:56 | 10 Prill 2021
Trina Galanxhi

Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të rrepta kufizuese për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të infektimeve me COVID-19 që më datë 5 prill, arsye për të cilën një fluks i lartë qytetarësh Kosovarë i regjistrua këtë fillim fundjavë në pikë e kalimit kufitar me Shqipërinë.

Me këtë rast, pakënaqësi për masat e vendosura ka shprehur Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi ai beson se masat e marra nga Qeveria Kurti për mbyllje nuk janë të duhurat.

Sipas Ahmetit, masat kanë qenë te nevojshme, por duhej menduar mirë. Ai that me shaka se nëse masat vazhdojnë të zgjatin deri me 18 prill, edhe ai do të shkojë në Shqipëri.

“Ka pas nevojë për masa, ajo është e padiskutueshme, për shkak se shkum dikun rreth 1000 raste në ditë, ndodhte që kishte 15 viktima në ditë.

Por masat që të jenë veç hajt se pa i menduar pasojat e tilla të vendimeve, unë mendoj se tash duhet të rimendohen. Është koha për Qeverinë që ta mendoj në ditët në vijim si t’i adresoj disa nga brengat, nëse zgjat kjo deri me 18 prill, edhe unë po shkoj (në Shqipëri)”, u shpreh Ahmeti.

Gjithsesi, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ka miratuar masa të reja kundër COVID-19, të cilat parashikojnë 46 pika të ndryshme lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Qytetarëve në të gjithë territorin e Kosovës me vendimin e ri nuk do t’u lejohen lëvizja e lirë nga ora 10 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes, përveç rasteve të natyrës urgjente.

Vendimi gjithashtu parashikon edhe që qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë të kenë test negativ për COVID-19, por edhe shërbimet e gastronomisë duhet të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

Vendimi ndalon edhe veprimtarinë e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 6 prill deri më datë 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet.

Në institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale, ndërkaq vendimi obligon përgjegjësit e institucioneve publike dhe private të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Mbajtja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është e obliguar, përpos rasteve kur ngasësi i automjetit është me familjen e ngushtë, gjatë vrapit dhe çiklizmit, si dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara./atv/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme