Ahmeti: Lirak Çelaj e ka votuar tre herë kompleksin “Kodrina”

19:45 | 2 Gusht 2017
Arbresh.info

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, përmes një konference për media gjatë ditës së sotme, ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë për, siç u tha, shkelje të shumta ligjore në rastin e kompleksit “Kodrina”.

Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se Shpend Ahmeti nënshkroi marrëveshje të kundërligjshme për “Kodrinën”, duke anashkaluar tërësisht Kuvendin Komunal, ashtu siç e parasheh ligji.

“Pa aprovimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ai i dha monopol të plotë një kompanie”, ka thënë Çelaj

Ai shtoi se për “Kodrinën” u shpall edhe tender ndërkombëtar për masterplanin, pa aprovimin e Kuvendit të Prishtinës, për një hapësirë që Komuna e Prishtinës kishte miratuar shumë më herët Planin Rregullues.

Sipas Çelajt, në 187,000 metra katrorë, “Shpend Ahmeti lejoi ndërtimin e 530,000 metra katrorë objekte banimi dhe afarizmi”.

Mirëpo, këtyre akuzave u është kundërpërgjigjur vetë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Përmes një statusi në Facebook, Ahmeti tha “Kodrina” është një ndër shembujt e proceseve të mirëfillta të planifikimit.

“Është e paprecedent në Kosovë e besa edhe në regjion që mbi 100 pronarë të tokave të bëhen bashkë dhe të pranojnë që aplikimi i tyre të bëhet pas konkursit ndërkombëtar për dukjen e lagjes ku kanë marr pjesë kompani të njohura nga e gjithë bota dhe ku në ngjarjen finale në Fakultetin e Arkitekturës në prani të mediave studentëve e profesorëve nga juria ndërkombëtare, fitues u zgjodh ‘Liebeskind’, kompania e njohur nga New York që e ka projektuar edhe World Trade Center”, ka shkruar Ahmeti.

Madje, kreu i Komunës, deklarimet e Çelajt në konferencën e sotme për media, i quajti “rrena”.

“Sot në konferencë, Liraku tha më shumë rrena se fjali. Projekti ende as që ka filluar, asnjë koeficient nuk është ngritur, asnjë tokë komunale nuk është dhënë e besa komuna veç do të përfitoj. Shpresoj që çdo lagje të Prishtinës të mund ta bëjmë me këtë proces e si ky projekt”, theksoi ai.

Në fund, Ahmeti tha se ky projekt ka dalë tre herë për votim në Kuvend, dhe theksoi se asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Lirak Çelaj, “ka votuar PËR”.

“Por, një gjë po më duket edhe më interesante. Liraku foli e foli kundër projektit, por ky plan rregullativ tri herë është votuar në Kuvend dhe çdo herë Liraku ka votuar PËR edhe pse opozitë”, ka përfunduar kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme