Google ADS

Ahmeti: LDK-ja në pushtet, kthim prapa për Prishtinën

00:48 | 2 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Shpend Ahmeti, kandidati i Vetëvendosjes për një mandat të dytë në krye të Prishtinës, ka thënë se qytetarët nuk duhet të lejojnë që LDK-ja të fitojë në balotazhin që mbahet më 19 nëntor.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se gara e balotazhit mes tij dhe Arban Abrashit të LDK-së është garë mes ekipeve “që e kanë bërë ndryshimin në Prishtinë dhe atyre që e kanë shkatërruar atë”.

Pak ditë para zgjedhjeve, ai ka deklaruar se nuk mund të thotë se është i sigurt se do të fitojë në balotazh.

“Nuk them në asnjë mënyrë që në demokraci diçka është e sigurt. Edhe para zgjedhjeve kam thënë se jam optimist dhe ashtu doli. Jemi në numra rekord. Jam optimist. Qytetarët duhet ta kenë të qartë që s’është gara mes meje si individ dhe Arban Abrashit si individ. Është garë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Mos e leni pa votuar. Me Arban Abrashin kthehet qeverisja e Isa Mustafës. Ai ka bërë fushatë me Shefki Gashin e Halim Halimin. Ata ishin dhe sërish kanë fituar. Shikoni dallimin mes tyre dhe neve. Arben Vitia ka dalë asamblisti më i votuar në Kosovë. S’ka bërë fushatë, por puna e tij u çmua”, ka thënë ai duke shtuar se qytetarët duhet të mendojnë për Prishtinën dhe jo për Shpend Ahmetin si individ.

Ahmeti ka komentuar edhe takimin me Rrahim Pacollin e AKR-së duke thënë se raportimet se ka marrëveshje politike mes dy partive nuk janë të vërteta.

“Këto janë sulme nga kundërshtarët. Gjuhen shpifje nga të gjitha anët, përmes gazetave të tyre. Ne kemi qenë në koalicion me AKR-në dhe AAK-në qe dy vjet. Kemi pas takime edhe më herët. Është normale të zhvilloj takime me ta. Duhet të theksoj se diskutimet për qeverisjen pas 19 nëntorit unë do t’i bëj me Selim Pacollin, ose dikë tjetër që do ta delegojë ai”, ka thënë më tej Ahmeti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme