Në këtë fazë Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet që duhen për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Kështu thotë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti. Ai thotë se në maj duhet të votojnë së paku nga 2/3 e delegatëve të pranishëm në Asamblenë Parlamentare dhe pastaj opinioni final pozitiv për anëtarësimin e Kosovës u shkon ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare në KiE.
Radio Kosova: Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot ka në rend dite çështjen e Kosovës në Këshill të Evropës. Çfarë prisni të ndodhë në këtë takim sot?
Kreshnik Ahmeti: Po, komiteti në fjalë ka ftuar sot një mbledhje ku në rend të ditës ka vetëm një pikë të vetme, çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kemi punuar shumë deri në fund të javës që shkoi që të kemi një raport sa më pozitiv dhe pa parakushte. Mendoj që kjo është arrit suksesshëm. Pra, pasi të votohet sot raporti, ai edhe do të bëhet publik sot për herë të parë. Por ajo çfarë mund të ndajë tani është që Dora Bojokani, rekomandon anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës, për më tepër hiqet fusnota për herë të parë, sepse në KiE, që nga fillimi Kosova ka pasur një fusnotë kur është përmendur, që ka qenë më e keqe se ajo e marrëveshjes së Brukselit dhe nuk kemi asnjë lloj parakushti. Pra, të gjitha zotimet që duhet t’i marrë Republika e Kosovës, janë zotime që duhet të adresohen pas anëtarësimit.
Radio Kosova: Cilat janë procedurat që do të ndiqen pastaj gjatë muajve në vijim, deri në anëtarësimin final të Kosovës në KiE?
Kreshnik Ahmeti:Pas mbledhjes së sotme, shkon draft-opinioni i votuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci, shkon në sesionin e Asamblesë Parlamentare të KiE dhe besoj që më 19 prill ne do të jemi në rend dite, ku duhet të votojnë së paku nga 2/3 e delegatëve të pranishëm në Asamblenë Parlamentare dhe pastaj, ky si opinion final pozitiv për anëtarësimin e Kosovës u shkon ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të cilët takohen në mes të muajit maj.
Radio Kosova: Zotëri Ahmeti, një prej parakushteve për pranim në KiE ka qenë zbatimi i vendimit të Manastirin e Deçanit. Por kohëve të fundit i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se janë edhe dy parakushte, çështja e shpronësimeve në veri dhe ajo e asociacionit. Si do të reflektojë kjo për Kosovën për anëtarësim në KiE?
Kreshnik Ahmeti:Unë jam shumë i kënaqur që ambasadori amerikan në Prishtinë e sqaroi javën e kaluar që deklarata e zotëri Escobar, nuk është njoftim për parakushte të reja të vendosura për Republikën e Kosovës. Mënyra se si funksionon KiE është që opinioni të cilin e jep Asambleja Parlamentare (AP), është vetë ajo që i vendos kushtet dhe jo Komiteti i Ministrave (KM). Dhe për këtë KM-ja pyet AP-në për atë se çfarë mendon për anëtarësimin e një vendi që ka aplikuar që të bëhet anëtar i KiE. Prandaj, unë nuk shoh asnjë mundësi që të ketë, nuk do të duhej që të kishte, parakushte në fazën në të cilën jemi, pasi që Kosova ka zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por me duhet të them që, pas kalimit të suksesshëm në AP, ne do të hyjmë në një betejë të re diplomatike që ta sigurojmë anëtarësimin e Kosovës këtë vit në KiE.
Radio Kosova: Zotëri Ahmeti, këto ditë kemi një deklaratë nga Mali i Zi që kanë deklaruar se do të votojnë sot kundër Kosovës në KiE. Ju dje jeni takuar me Sekretarin e Shtetit të Malit të Zi. Cili është qëndrimi zyrtar i qeverisë malazeze?
Kreshnik Ahmeti: Ne, dje, kemi mbajtur konsultimet e gjashta politike ndërmjet MPJ të Kosovës dhe Malit të Zi dhe unë e ngrita këtë çështje para homologut tim malazez, ku mora garanci se Qeveria e Malit të Zi do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe për këtë, nuk ka asnjë dilemë. Është e qartë që konteksti politik në Mal të Zi është paksa më i koklavitur dhe ka subjekte që janë pro serbe e pro ruse. Unë pres që sot mund të mos ketë një votë pozitive të delegates e cila e përfaqëson Malin e Zi në këtë komitet por gjithsesi, në AP besoj që shumica do të jenë në favor e edhe nga delegacioni i Malit të Zi, e tash e kemi garancinë e Sekretarit të Shtetit që në ministerial ata do të votojnë në favor të anëtarësimit të Republikës së Kosovës.
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...