Ahmeti, BE-së: Projektligjin për Liritë Fetare po e bllokojnë 10 ulëset e garantuara të serbëve në Kuvend

17:08 | 7 Janar 2025
E.H

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i ka reaguar zëdhënëses së BE-së, Anitta Hipper, e cila i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës për ta miratuar Ligjin për liritë fetare.

Ahmeti me anë të një postimi në platformën X ka thënë se ky projektligj po vazhdon të mbetet i bllokuar nga deputetët e Listës Serbe, transmeton Arbresh.info.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë se ai mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Ndryshe, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka thënë sot se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta mbështesin miratimin e këtij ligji.

“Për projektligjin ne bëjmë thirrje që të miratohet Ligji për liritë fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit të mbështesin miratimin e këtij ligji”, është shprehur ajo, kur u pyet për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme