Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pas zërave se ajo duhet të bëjë hapa në këtë drejtim para votimit vendimtar në maj.
Duke folur të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë, një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë, Ahmeti tha se Asociacioni është kusht pas pranimit.
“Neni i 11-të i raportit të Dora Bakoyyanis [për Kosovën] tregon qartë se, sa i përket këtij zotimi, duhet të adresohet pas anëtarësimit”, tha Ahmeti i pyetur nëse Kosova do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draft-statusin e Asociacionit para votimit në maj.
Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës do të vendosin përfundimisht rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës gjatë një takimi më 16 maj.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ahmeti theksoi se “Dora Bakoyyanis tha dje qartazi dhe haptazi se kjo nuk është një gjë që mund të arrihet për momentin, sepse…kjo temë i përket një procesi, që nuk varet vetëm nga Kosova, aty jemi tre palë, Kosova, Bashkimi Evropian dhe Serbia”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit në Kosovë, Bakoyyanis tha dje në Asamble në Strasburg se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës, “prandaj, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës”.
Të gjitha rekomandimet e Serbisë për futjen e themelimit të Asociacionit si kusht para pranimit të Kosovës u rrëzuan gjatë votimit të së martës në Strasburg.
Gjatë debatit në seancën e Asamblesë Parlamentare të martën, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave.
Deputeti francez Alain Milon tha gjatë debatit se do të votonte pozitivisht, por se “raporti nënvizon madhësinë e punës që duhet ta bëjë Kosova si themelimi i Asociacionit”… që sipas tij, është hap që mund të bëhet para votimit në maj.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha të martën se Kosovën e pret tani “një punë e vështirë” për t’i bindur ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës ta miratojnë anëtarësimin e saj në këtë organizatë në maj.
Ka pasur zëra në qarqet diplomatike ditëve të fund që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./rel
Vidhen para e gjësende tjera në Lupq të Podujevës
Vrasje në tentativë në Gjakovë, arrestohen tre të dyshuar
Gjesti e prish festën teksa Xheneta i bënë ‘twerk’ Vullnetit
Atentati në Vlorë, i plagosuri në gjendje të rëndë shëndetës...
Modric hynë në histori të Real Madridit, bëhet lojtari më i ...
HRW: Kufizimi i ujit në Gaza nga Izraeli përbën një akt gjen...