Google ADS

Ahmetaj: Mali i Zi, shembull për avancimin në procesin integrues

14:40 | 3 Maj 2017
M. A.

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj pas një takimi me homologun e saj malazez, Aleksandar Andrija Pejoviq, tha të mërkurën se Mali i Zi mund të merret si shembull për avancimin e tij në gjithë procesin integrues.

Të dy ministrat kanë thënë se tashmë dy vendet kanë një bashkëpunim të mirë dhe se këtë do ta avancojnë edhe me shumë në mënyrë që të dyja shtetet të bëhen sa më shpejt anëtare të Bashkimit Evropian.

Ministrja Ahmetaj foli edhe për marrëveshjet që do t’i nënshkruajnë me Malin e Zi për fondet e përbashkëta.

“Biseduam për procesin euro-integrues, se ku qëndron Mali i Zi në këtë kohë, si një shtet i cili është lider në rajon dhe si një shtet i cili mund të merret si shembull për gjithë avancimin e tij në procesin euro-integrues. Për marrëveshjet e ndërsjella, të cilat ne dy shtetet do t’i nënshkruajmë në mes veti, për fondet e përbashkëta të cilat e përkrahin procesin integrues, si për Kosovën edhe për Malin e Zi si dhe për inicimin e nismës së nënshkrimit të marrëveshjes e cila është obligative dhe del nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim që tani është në stadin fillestar. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo marrëveshje të përfundojë sa më shpejt, të nënshkruhet dhe të hyjë sa më shpejt në fuqi”, tha Ahmetaj.

Ndërsa, ministri i Integrimit Evropian të Malit të Zi, Aleksandar Andrija Pejoviq theksoi se ky është një rast që të potencojnë bashkëpunimin e mirëfilltë në mes Kosovës e Malit të Zi.

Ministri malazez shtoi se me homologen e tij kosovare biseduan edhe për nënshkrimin e një marrëveshje që të bashkëpunojnë dy vendet në procesin e integrimeve evropiane. Derisa, bëri të ditur se do të themelojnë një Këshill të përbashkët që t’i diskutojnë çështjet me interes të përbashkët.

“Mali i Zi ka mjaft çka t’i ndihmojë Kosovës dhe çka t’i ofrojë Kosovës, pasi është vend që ka më së shumti kapituj të hapur, 24. Dhe, në këtë pjesë jemi të gatshëm të shkëmbejmë përvojat tona. Po ashtu, kemi biseduar edhe për shfrytëzimin e fondeve të BE-së. Deri më tani kemi pasur rast që pjesa veriore e jona t’i shfrytëzojë katër milionë nga fondet e BE-së për marrëdhëniet ndërkufitare, për zhvillimin e turizmit dhe për atë që është me rëndësi për qytetarët tanë, dhe para pesë ditëve kemi përfunduar thirrjen për programin e ri i cili mundëson që dy vendet të vijnë deri tek dhjetë milionë euro të reja. Kemi nënshkruar marrëveshjen për dy milionë dhe shpresojmë që të marrim edhe marrëveshje tjera. Kjo flet për marrëdhëniet e mira që kemi, që kemi vendosur”, theksoi Pejoviq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme