Ahmet Krasniqi e Qazim Jakupi rivarrosen nesër në Kosovë me nderime shtetërore

19:10 | 20 Shtator 2018
Arbresh.info

Republika e Kosovës ka pranuar nga shteti i Shqipërisë eshtrat e kolonel Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit, babai të këngëtares Leonora Jakupi, të cilët do të rivarrosen nesër në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Pranim-dorëzimi i trupave u bë sot në pikën kufitare në Vërmicë nën përkujdesjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku me nderime shtetërore arkivolet u futën në Republikën e Kosovës.

Familjarë të Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit dolën sot në kufi me Shqipërinë ku u bë bartja e eshtrave të më të dashurve të tyre.

Bashkë me familjarët, aty dolën edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha.

Kreu i FSK-së me këtë rast tha se është e vështirë të përshkruhet me pak fjalë vepra e Ahmet Krasniqit.

Nesër prej orës 10:00 deri në 12:00 do të ketë homazhe në Parlamentin e Kosovës, në 12:30 do të ketë akademi përkujtimore. Ndërsa në orën 14:00 do të jetë ceremonia e rivarrimit në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Ndryshe, kohë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për kthimin e eshtrave të Qazim Jakupit dhe Ahmet Krasniqit në vendlindje.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme