AGK: Raporti i “Reporterëve pa kufij” konfirmon paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të medieve në Kosovë

16:42 | 21 Prill 2020
Arbresh.info

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shpreh shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”, për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë, në raportin e publikuar për vitin 2020.

Kosova është renditur në vendin e 75-të në botë sa i përket lirisë së shtypit dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit.

Me gjithë përparimin e Kosovës për pesë pozita, krahasuar me vitin 2019, AGK konsideron se raporti pasqyron gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.

Raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Ne raport theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave.

Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiar, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike dhe kjo shpesh rezulton në vetë-censurim. Sa i përket mediave të komuniteteve pakicë, sipas raportit, shumica prej tyre janë në prag të shuarjes, duke mbijetuar kryesisht nga donacionet e huaja. Raporti përfundon me atë se deri më tani, fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur, përfshirë gazetarët që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999.

AGK vlerëson se, gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Mali i Zi e ka renditjen më të ulët, në vendin e 105-të. Vendet tjera e kanë këtë renditje: Serbia 93, Shqipëria 84, Bosnje dhe Hercegovina 58.

Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror për vitin 2020, i cili vlerëson situatën për gazetarët në 180 vende, në nivel botëror paralajmëron se dekada e ardhshme do të jetë përcaktuese për të ardhmen e gazetarisë, për shkak të pandemisë Covid-19 e cila do të prodhojë shumë kriza që kërcënojnë të drejtën e raportimit të lirë, informacionin e pavarur, të larmishëm dhe të besueshëm./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme