Google ADS

AGK konsideron se u shkelen ligjet kur u larguan dy gazetarë nga puna

18:18 | 17 Nëntor 2018
A. B.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka kërkuar Inspektoratit të Punës dhe institucioneve tjera të hetojnë largimin nga puna të dy gazetarëve të një televizioni lokal. Ka konstatuar se janë shkelur ligjet e Kosovës kur mediumi ka larguar nga puna Arben Rexhepin dhe Ervin Behlulin përmes një e-maili dhe pa dhënë sqarimet siç kërkohet me ligj.

“Në të njejtën kohë AGK kërkon nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, t’i shqyrtojë rastet në fjalë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, janë dhënë vërejtje për mënyrën se si janë larguar këta gazetarë nga puna.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për mënyrën e largimit nga puna të dy kolegëve, Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli, të cilët prej vitesh punonin në RTV Dukagjini. Dy punëtorët u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një emaili nga drejtori i këtij mediumi, Ermal Panduri pa arsyetime të qarta dhe pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës. Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli kanë punuar prej rreth 20 vitesh në RTV Dukagjini dhe ishin pjesë e stafit themelues të kësaj medie”, thuhet në reagimin e AGK’së.

Ky mekanizëm që mbron punën e gazetarëve i ka bërë thirrje televizionit të shfuqizojë vendimin dhe të kthejë në punë Rexhepin dhe Behlulin.

“AGK konsideron se mënyra e largimit të tyre nga puna është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe njëkohësisht rëndon edhe më shumë ambientin në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë. AGK ka kërkuar pergjigje nga drejtori i RTV Dukagjinit z. Panduri rreth procedurave ligjore të ndjekura me rastin e largimit nga puna e dy punëtorëve në fjalë, mirëpo deri më tani nuk ka marrë shpjegim nga ana e tij. AGK kërkon nga drejtuesit e RTV Dukagjini që t’i shfuqizojnë këto vendime, në mënyrë që dy punëtorët e larguar të kthehen sa më parë në vendin e tyre të punës”, thuhet në reagimin e Bordit të AGK’së.

Në anën tjetër, Arben Rexhepi, kishte shkruar në FB, se shefat e rinj të televizionit e kanë njoftuar për shkëputje të kontratës pa kurrfarë shpjegimi dhe vërejtje paraprake.

“… Rrugetuam per shume vite. Deri sot, kur mua dhe Ervin Behlulit na erdhi nje email se nuk jemi me pjese e ketij rrugetimi! Aspak e ndershme nga ana e udheheqese te cilet nuk e din historine 20 vjeqare te djerses se puntoreve, nuk e din si eshte ta ngrisesh nje medium ne piken me te larte, nuk e din sepse e gjeten te gatshem dhe me hapa te shpejte po e RRENOJNE. ( nuk po permend emra pa emer, i shifni dhe jeni te njohur me keta shkaterues)”, kishte shkruar Rexhepi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme